Shqipëria një hap më afër BE-së, vendimi i Brukselit: Më 15 tetor Konferenca e dytë ndërqeveritare
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm miratoi Qëndrimin e Përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave për Shqipërinë.
Sot, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm miratoi Qëndrimin e Përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave për Shqipërinë, thuhet në një njoftim të këtj komiteti, sipas hungarian-presidency.consilium.europa.eu.
“Sot, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) ka miratuar një qëndrim të përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave me Shqipërinë, duke lejuar kështu mbajtjen e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë më 15 tetor 2024 në Luksemburg”, thuhet në njoftim.
“Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor. Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave”, theksohet në të.
“Përpara vendimit të sotëm, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai hungarez Viktor Orbán u takuan në Budapest më 11 tetor 2024. Krahas diskutimit të negociatave të anëtarësimit, të dy liderët ranë dakord të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh”, përfundon deklarata.
Po ashtu është zbardhur edhe axhenda: Sipas njoftimit, takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Grupkapitullin 1, që përfshin fushat e mëposhtme dhe kapitujt e negociatave 1 – Funksionimi i institucioneve demokratike dhe 2 – Reforma e administratës publike
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kriteret ekonomike
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Negociatat për Grupkapitullin 1 hapen të parat dhe mbyllen të fundit.
Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
(ATSH)Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm miratoi Qëndrimin e Përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave për Shqipërinë