Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë
OKB: Kërcënohen nga ulja e numrit të insekteve
Sot është Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë. Për vitin 2024, kjo ditë botërore festohet dy herë, më 11 maj dhe 12 tetor, në përputhje me natyrën ciklike të shtegtimit të shpendëve në hemisfera të ndryshme.
Zogjtë luajnë një rol vendimtar në pllenim dhe kontrollin e dëmtuesve, dhe mungesa e insekteve i prish këto funksione të ekosistemit. Për këtë arsye, tema e këtij viti është “Mbroni insektet, mbroni zogjtë”. Megjithatë edhe mbipopullimi i disa insekteve, në mungesë të grabitqarëve të tyre natyrorë që janë zogjtë, mund të shkaktojë gjithashtu shpërthime që dëmtojnë shëndetin e bimëve në përgjithësi dhe bujqësisë në veçanti.
Fushata e Ditës Botërore të Zogjve Shtegtarë në 2024 thekson nevojën për masa proaktive të ruajtjes. Kjo përfshin reduktimin e përdorimit të pesticideve dhe plehrave, dhe kur është e mundur, kalimin në bujqësi organike. Masa të tjera përfshijnë ruajtjen dhe lidhjen e zonave të bimësisë natyrore që ofrojnë ushqim dhe strehim për zogjtë dhe speciet e tjera, në peizazhet bujqësore.
(ATSH)