Begaj: Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, mekanizëm transformues në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vlerësoi kontributin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në Shqipëri si një mekanizëm transformues
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vlerësoi kontributin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në Shqipëri si një mekanizëm transformues, jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në reformimin e shtetit për plotësimin e aspiratës Euroatlantike si dhe në përgatitjen e një brezi të ri sipërmarrësish.
Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e 15-vjetorit të themelimit të këtij fondacioni, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e fuqizimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një rol të veçantë ka Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Duke renditur investimet në arsim, kulturë, turizëm dhe infrastrukturë, Presidenti Begaj u shpreh se, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka hartuar projekte të zhvillimit afatgjatë, të cilat kanë tërhequr më shumë investitorë dhe kanë përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
“Në një kohë kur investimet e huaja ishin sporadike, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim e pa Shqipërinë jo si një rrezik, por si një mundësi”, u shpreh Kreu i Shtetit, i cili theksoi faktin se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka patur kurajën të besojë në potencialin e Shqipërisë, që dikur shihej me shumë skepticizëm.
Begaj, i shprehu mirënjohje Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për gjithçka që ka bërë për Shqipërinë në këto 15 vite, në mënyrë që vendi të niste një epoke të re zhvillimi në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në të ardhmen dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Presidenti Begaj gjithashtu përcolli vlerësimet e tij për AADF-në edhe gjatë takimit që rezervoi për Bordin drejtues të këtij fondacioni.
(ATSH)