Sejko: Ekonomia në trend pozitiv, inflacioni më i ulëti në rajon dhe në Evropë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, pranë Ambasadës së Republikës Franceze, Pierre Grandjouan, rezident në Beograd.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, pranë Ambasadës së Republikës Franceze, Pierre Grandjouan, rezident në Beograd.
Sejko gjatë takimit prezantoi zhvillimet ekonomike në vend, ku theksoi se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme.
Lidhur me ecurinë e inflacionit, Guvernatori u shpreh se ai ka ardhur në rënie të shpejtë, duke shënuar dhe një rikuperim të plotë të goditjes që pësuam nga rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Politika monetare ka qenë sa më fleksibël, duke synuar të mos dëmtojë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur të jetë e harmonizuar me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale. Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë më pranë objektivit tonë, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive. Aktualisht, inflacioni në vendin tonë është më i ulëti në rajon dhe në Evropë”, u shpreh Sejko.
Lidhur me sistemin financiar, Guvernatori Sejko u shpreh se ai karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. Guvernatori u ndal gjithashtu në panoramën e sektorit bankar, ku veçoi dy elementë kyç, rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e treguesit të kredive me probleme.
Shefi i Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Grandjouan, shprehu vlerësimet e tij për kontributin e vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.
Në vijim, ai e uroi Guvernatorin Sejko për hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt me Bashkimin Evropian, e cila shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit me BE-në.
Grandjouan vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Ai theksoi se politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar pozitivisht, duke ruajtur inflacionin më të ulët dhe rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Gjithashtu, ai shtoi se regjimi i lirë i kursit të këmbimit mbetet mjaft i përshtatshëm kur kërkesa dhe oferta përcaktohet nga vetë tregu.
Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, nëpërmjet projekteve potenciale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si ai financiar, infrastrukturor dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Gjithashtu ata ranë dakord që Banka e Shqipërisë dhe Banka e Francës të vijojnë bashkëpunimin në fusha, si: Konvergjenca e legjislacionit me standardet evropiane, qeverisja e bankës qendrore, etj., dhe Banka e Francës do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Bankën e Shqipërisë, për përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare të bankingut qendror, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane.
(ATSH)