Balluku pret ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Zgjerim më tej të bashkëpunimit dypalësh
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku priti ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Ali Al Dhaheri.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku priti sot në një takim ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Ali Al Dhaheri.
Balluku bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mundësitë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin dypalësh.
Në vitin 2023, shkëmbimet tregtare kapën vlerën e rreth 18 milionë eurove.
Eksportet shqiptare në EBA vlerësohen në 9.5 milionë euro. Shqipëria eksportoi kryesisht produkte të fasonerisë, ujë të pijshëm, fruta të thata, materiale alumini, minerale, mermer, gur dhe material ndërtimi.
Ndërsa importet nga EBA në vitin 2023 ishin 8.5 milionë euro. Mallrat e importuara në vendin tonë janë kryesisht pajisje elektronike, nënprodukte të naftës, makina dhe pajisje kompjuterike.
Projekti i madh i Portit të Durrësit është momenti më i suksesshëm i bashkëpunimit ekonomik dhe i tërheqjes së investimeve në sektorin e turizmit elitar, duke i hapur rrugë projekteve të tjera në fushën e infrastrukturës turistike.
(ATSH)