Begaj në Bosnjë dhe Hercegovinë: Integrimi rajonal, me rëndësi për përshpejtimin e integrimit evropian
Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë Presidenti i Republikës i kushtoi një rëndësi të veçantë, komunitetit shqiptar që jeton atje
Presidenti Bajram Begaj u takua sot në Sarajevë me kryesuesin e radhës së Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, si dhe dy anëtarët e Presidencës, Željko Komšić dhe Željka Cvijanović.
Në fokus të bisedës ishin intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe, që tashmë me rihapjen e ambasadave respektive do të ketë një rigjallërim, si dhe çështjet e sigurisë dhe të bashkëpunimit në rajon, udhëzimet e Procesit të Berlinit, integrimi evropian dhe NATO.
“Kjo është vizita ime e parë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nga takimi që zhvilluam jam i bindur se marrëdhëniet tona tradicionalisht miqësore dhe bashkëpunimi ekzistues do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen”, – deklaroi Presidenti i Republikës ndërsa rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në nivel dypalësh dhe atë rajonal.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet pa ekuivok sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social, si dhe përparimin në rrugën Euroatlantike të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Përballë kërcënimeve në rajon, Presidenti Begaj konfirmoi politikat e konsoliduara të Shqipërisë për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar vazhdimin e kontributit në misionin EUFOR-ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Do të mbetemi të zëshëm dhe kundërshtues ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese dhe retorike separatiste”, – u shpreh Presidenti , duke rikonfirmuar mbështetjen e marrëveshjes së Dejtonit.
Në lidhje me mesazhet e samitit të fundit të Procesit të Berlinit, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e integrimit rajonal dhe përshpejtimit të integrimit evropian, ndërsa kërkoi nga Bosnjë dhe Hercegovina rishikimin e qëndrimit ndaj Kosovës.
“Do të vlerësonim angazhimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në njohjen e dokumenteve të Kosovës dhe heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, – u shpreh Presidenti.
Duke e cilësuar anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE si të vetmen alternativë për sigurinë dhe zhvillimin e rajonit tonë, Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë për të ndarë me Bosnjë- Hercegovinën përvojën e Shqipërisë në rrugëtimin evropian.
Presidenti Begaj, gjithashtu, theksoi faktin se Shqipëria, si aleate e NATO-s, mbështet politikat e “Dyerve të Hapura”.
Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Begaj bëri të ditur se në takim u diskutua për avancimin më shpejt me projektet e infrastrukturës rrugore, duke përfshirë Korridorin Blu e gazsjellësin Adriatiko-Jonian.
Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë Presidenti i Republikës i kushtoi një rëndësi të veçantë, komunitetit shqiptar që jeton atje. Kreu i Shtetit theksoi se “Bosnjë dhe Hercegovina është shtëpia e një komuniteti shqiptar të integruar në shoqërinë ku jetojnë dhe kontribuojnë”.
Në takime u diskutua për adresimin e kërkesave të tyre për ruajtjen e gjuhës, traditave, identitetit kombëtar dhe historisë në reciprocitet me trajtimin e boshnjakëve dhe serbëve në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Presidenti Begaj zhvilloi takime të veçanta dhe me Kryeministren Borjana Krišto dhe Kryetarët e Dhomave të Popullit dhe të Përfaqësuesve në Asamblenë Parlamentare.
(ATSH)