Hoxha: Kontrolle të shtuara në terren për mashtrimet me kontributet shoqërore
Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit që nga sot do të intensifikojë të gjitha kontrollet në terren dhe do të ndjekë me vendosmëri çdo rast të fshehjes së të ardhurave, mashtrimit me kontributet shoqërore, apo shmangies së detyrimeve fiskale.
Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit që nga sot do të intensifikojë të gjitha kontrollet në terren dhe do të ndjekë me vendosmëri çdo rast të fshehjes së të ardhurave, mashtrimit me kontributet shoqërore, apo shmangies së detyrimeve fiskale.
Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha gjatë takimit me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
“Ne sot flasim për të drejtat dhe detyrimet në një shoqëri të lirë. Është e qartë se ato nuk mund të ekzistojnë se nuk kemi një sistem ekonomik të formalizuar ku çdokush kontribuon dhe fiton. Ndaj në këtë aspekt informaliteti nuk është vetëm një fenomen që ul të ardhurat e shtetit, por na dëmton të gjithëve. Çdo devijim nga ky rregull nuk është shkelje, por është rast i pastër vjedhjeje dhe të jenë të sigurt se kështu do të trajtohet”, nënvizoi Hoxha.
Ministri Hoxha u shpreh se “përgjegjësia e personit juridik po ashtu është një aspekt shumë i rëndësishëm, punësim i paligjshëm, mospagimi i taksave dhe të ardhurave shpërdorimi i detyrës nga ana e administratorëve, moslëshimi i kuponit tatimor, të gjitha janë akte të dënueshme dhe përbejnë një krim ekonomik”.
Më tej Hoxha vuri në dukje se do të ketë hetime të thelluara dhe analiza të detajuara financiare për të ndëshkuar ato grupe, kompani a individë që përfitojnë nga informaliteti.
“E reja është se kjo nuk mund të jetë vetëm një përpjekje administrative, por një luftë ndaj asaj që e klasifikojmë si një krim që prek shoqërinë dhe frenon ritmin e rritjes ekonomike. Policia e Shtetit është e vendosur që të zbatojë me vendosmëri çdo masë që garanton formalizimin e tregut të punës dhe përmbushjen e plotë të detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore”, tha Hoxha duke shtuar se kjo është një betejë që nuk vend për tolerancë.
(ATSH)