Gonxhja: 3 milionë euro të ardhura më shumë sigurime shoqërore nga përfshirja në skemë e punonjësve informalë
Punëmarrësit informalë të identifikuar gjatë proceseve inspektuese rezultojnë me rritje në masën 29%, krahasuar me një vit më parë
Ministri i i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, gjatë këtij viti janë rritur me 3 milionë euro të ardhurat në buxhetin e sigurimeve shoqërore nga futja e 1 984 punonjësve informal në skemën e pagës.
I pranishëm në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, për informalitetin, Gonxhja tha se “punëmarrësit informalë të identifikuar gjatë proceseve inspektuese rezultojnë me rritje në masën 29%, krahasuar me një vit më parë”.
Sipas tij kjo, i adresohet zhvillimit që shënuan një sërë sektorësh të ekonomisë së vendit, si turizmi, ndërtimi, shërbimet etj, ku ka pasur hapësira për informalitetin.
Ministri theksoi se, “sot jemi në kohën e zhvillimit digjitale dhe sistemet inovatore po bëjnë diferencën në rezultate dhe masat e marra synojnë rritjen e formalizimit në ekonomi”.
“Shqipëria është përzgjedhur për të pilotuar analizën e riskut me efikasitet nga monitorimi i inspektimit, një platformë inovative që ka nisur zbatimin nga janari i këtij viti me mbështetjen e BE-së”, tha Gonxhja.
Sipas tij, ky hap inovativ, shton besim që do të ketë platformë monitorimi dhe inspektimi më efikase.
“Puna që po bëhet në fushën e inspektimit për lehtësimin e kontrolleve të subjekteve synon nga ana tjetër forcimin e masave kundër informalitetit”, u shpreh Gonxhja.
Ai tha se, aktualisht institucionet e linjës kryejnë 10 mijë inspektime në vit. Nga monitorimi i tregut janë gjetur 63% e subjekteve që kanë rezultuar në shkelje të ligjit me elementët e informalitetit.
(ATSH)