Muzhaqi: Bashkëpunim me UNFPA për adresimin e bullizmit dhe rritjen e mirëqenies së të rinjve
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën vendore të UNFPA Shqipëri, Justine Coulson
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën vendore të UNFPA Shqipëri, Justine Coulson, për të diskutuar mbi zgjerimin e bashkëpunimit në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Rinisë.
Muzhaqi njofton përmes rrjeteve sociale se takimi ishte produktiv. Në fokus të tij ishin çështje të rëndësishme që prekin të rinjtë, përfshirë adresimin e bullizmit, mbrojtjen e mirëqenies së tyre, shëndetin riprodhues dhe problematika të tjera të ndërlidhura.
Ministrja Muzhaqi vlerësoi bilancin pozitiv të bashkëpunimit me UNFPA dhe u shpreh e bindur se projektet e përbashkëta të ndërmarra do të kenë një ndikim të rëndësishëm në jetën e të rinjve në Shqipëri. Ajo theksoi angazhimin e përbashkët për të fuqizuar të rinjtë dhe për të përmirësuar kushtet e tyre në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Rinisë.
(ATSH)