Hoxha-Abbott: Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për reduktimin e migracionit, model i suksesshëm
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot një bisedë miqësore dhe të frytshme me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott.
Hoxha dhe Abbott vlerësuan lidhjet politike dhe partneritetin e fortë mes dy vendeve, teksa u theksua se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për reduktimin e migracionit të paligjshëm përfaqëson një model të suksesshëm.
“Duke i uruar njëri-tjetrit suksese në detyrat tona të reja shprehëm gatishmërinë e palëkundur për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, sidomos sa u përket çështjeve të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të armëve dhe drogës, goditjen e transportit të parave dhe të migracionit të parregullt”, theksoi Hoxha në një postim në rrjetet sociale.
Ata gjithashtu vlerësuan bashkëpunimin për Dokumentin e Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue) dhe shprehëm gatishmërinë për ta vijuar koordinimin për finalizimin e tij.
Hoxha dhe Abbott theksuan se, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për reduktimin e migracionit të paligjshëm përfaqëson një model të suksesshëm dhe e adresuan këtë dukuri të paligjshme si një prej sfidave më kritike me të cilën përballen të dy vendet.
“U dakordësuam për thellimin edhe më tej të bashkëpunimit dypalësh, në funksion të rezultateve më pozitive në të ardhmen, për t’u shërbyer akoma më shumë qytetarëve të dy vendeve tona dhe për të rritur standardet e sigurisë”, theksoi Hoxha.
(ATSH)