Anagnosti: Shpresojmë në hapjen e shpejtë të kapitullit të marrëdhënieve me jashtë
Takimi i 18-të të Komisionit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti deklaroi sotse i gjithë spektri politik në vend mbështet procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Në takimin e 18-të të Komisionit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, zv/ministrja Anagnosti vlerësoi mbështetjen e palëkundur që Parlamenti Europian ka dhënë në procesin e integrimit të vendit tonë.
Sipas saj, anëtarësimi i plotë në BE mbetet përparësia e parë strategjike e Shqipërisë.
“Ka një konsensus të përbashkët mes spektrit politik shqiptar në lidhje me këtë, ndërkohë edhe popullsia mbështet anëtarësimin në BE”, tha ajo.
Ajo siguroi se qeveria shqiptare është e fokusuar në axhendën e reformës europiane.
Anagnosti u ndal edhe në zhvillimet ndërkombëtare, konkretisht në agresionin rus në Ukrainën, i cili, theksoi ajo, ka sjellë një zhvendosje të politikës, ndërsa, sipas saj, e bën më të rëndësishëm zgjerimin në BE për efekt të sigurisë së BE-së.
“Ne duhet të përqafojmë proceset rajonale që sjellin palët, dikur të ndara, më pranë njëra-tjetrës duke kërkuar një të ardhme më të ndritur të karakterizuar nga paqja, stabiliteti dhe prosperiteti. Ky është modeli i BE-së i ofruar për Ballkanin Perëndimor prej 2 dekadash, ai model që mbështetet edhe nga qeveria shqiptare”, deklaroi Anagnosti.
Zv/ministrja vuri në dukje nevojën e një proces integrimi të parashikueshëm, i cili nxit përmirësimin e situatës politike, ndërkohë që sjell dhe përfitime para anëtarësimit faktik dhe që siguron stabilitetin rajonal.
“Procesi i integrimit në BE duhet të vazhdojë. Ne kemi marrë vlerësime jo vetëm në raportin e fundit të Parlamentit Europian, por edhe nga Këshilli, veçanërisht me hapjen e grup-kapitujve të parë për çështjet “themelore”, në Luksemburg, në tetor, gjatë konferencës së dytë ndërqeveritare. Vetëm përmes inkurajimit dhe vizionit të së ardhmes mund të inkurajohen qeveritë për të bërë reformat e duhura”, tha zv/ministrja.
Ajo bëri të ditur se administrata publike po përgatitet për hapjen e kapitujve të mëtejshëm në të ardhmen.
“Shqipëria shpreson që kapitulli i 6-të që fokusohet te marrëdhëniet me jashtë të hapet shpejt. Hapja e kapitullit të 6-të bazuar në politikën tonë të jashtme të besnikërisë, është një vendim që duhet të merret shpejt, nëse BE është serioze sa i përket rolit të tij global”, deklaroi Anagnosti.
(ATSH)