Këshilli bashkiak i qytetit të Fierit vendosi t’i japë Bankës Gjermane për “Bashkëpunimin Financiar Gjerman” (KfW), titullin “Nderi i Bashkisë Fier” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit të Fierit”.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i dorëzoi urdhrin e dhënë anëtarit të Komitetit Drejtues të KfW, Stephan Opitz në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e këshillit bashkiak Fier në prani të kreut të Bashkëpunimit në Ambasadën gjermane Iven Schad, drejtoreshën vendore të KfW Albania, Brit Horschke dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë.
Gjatë ceremonisë për dorëzimin e titullit “Nderi i Bashkisë Fier” anëtarit të Komitetit Drejtues të KfW, Stephan Opitz, kryetari i bashkisë së Fierit ka shprehur gjithë vlerësimin për kontributin që ky bashkëpunim financiar ka sjellë në këtë qytet.
WPIP/MIP V është programi më i madh për sektorin dhe parashikon investime të gjashtë shoqërive rajonale të ujësjellësit Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë. Nga këto investime pritet që të përfitojnë mbi 470 mijë qytetarë.
Investimet në Fier janë pjesë e “Programit të Infrastrukturës Bashkiake I & II” dhe “Programit të Investimeve të bazuara në Performancën e Sektorit të Ujit (WPIP)” të bashkëfinancuar nga qeveria gjermane, BE dhe qeveria zvicerane nëpërmjet KfW, me një shumë mbi 125.6 milionë euro.
Këto investime janë përqendruar kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve të Fierit dhe mbi 40% e popullsisë ka përfituar drejtpërdrejt, duke marrë furnizim të pandërprerë me ujë 24 orë në 7 ditët e javës, ndërsa rreth 90% e banorëve kanë përmirësuar shërbimin e furnizimit me ujë, dhe nga ndërtimi i kolektorëve kryesorë në qytet përfitojnë 32 mijë banorë.
Në Shqipëri, KfW realizon Bashkëpunimin Financiar Gjerman përmes projekteve dhe programeve të ndryshme. KfW ofron ndihma granti dhe kredi koncesionare për investime kyçe dhe shërbime konsulence të lidhura me projektet. Bashkëpunimi gjerman për zhvillim me Shqipërinë filloi në vitin 1988. Që atëherë, qeveria gjermane ka akorduar më shumë se një miliard euro për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një fushë prioritare në kuadër të bashkëpunimit financiar gjerman me Shqipërinë, me një portofol aktiv prej mbi 457 milionë euro.
(ATSH)