Gonzato: 920 milionë euro për reformat në Shqipëri

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi sot në një intervistë për Top Channel se 920 milionë euro nga Bashkimi Europian për Shqipërinë nuk janë një çek bosh, por ato do të përfitohen nëse realizohen reformat.


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi sot në një intervistë për Top Channel se 920 milionë euro nga Bashkimi Europian për Shqipërinë nuk janë një çek bosh, por ato do të përfitohen nëse realizohen reformat.

Duke folur për vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, Gonzato u shpreh se, nuk kishte të bënte vetëm me Planin e Reformës dhe të Rritjes.

“Vizita e saj, siç edhe ia thashë, ndodhi në një moment kur yjet janë linjëzuar për Shqipërinë. Ne sapo hapëm negociatat reale, negociatat për grup-kapitullin e themeloreve, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme në procesin e anëtarësimit. Sapo kemi miratuar një Agjendë Reformash të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, e cila është kushti për fillimin e financimit përmes Instrumentit të Reformave dhe Rritjes dhe, për rrjedhojë, për të përfituar ato 900 milionët eurot. Dhe sigurisht, vizita u bë edhe në momentin kur përuruam vitin akademik të Kolegjit të Evropës. Është simbolike, por mendoj se është shumë e rëndësishme. Është një tjetër element i këtij “linjëzimi yjesh” që për momentin po ndodh këtu në Shqipëri”, tha Gonzato.

Ambasadori u shpreh se, Plani i Reformave dhe Rritjes ka për qëllim të përshpejtojë dhe mbështesë procesin e anëtarësimit.

“Hapja e grup-kapitullit të themeloreve do të thotë që Shqipëria tani duhet t’i marrë seriozisht reformat në fusha vendimtare, qoftë konsolidimi i reformës në drejtësi të vitit 2016, qoftë lufta kundër korrupsionit. Pastaj duhet të shohim me të vërtetë anën parandaluese, të shikojmë sektorët e brishtë dhe të shohim se si mund t’i trajtojmë ato situata që janë të favorshme për korrupsion”, theksoi Gonzato.

“Të shohim kontrollet dhe balancat në vend dhe të sigurohemi që çdo institucion t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë të pavarur dhe që pavarësia të respektohet. Pra, ky proces do të thotë se nuk mund të ketë më hezitime. Kur një ligj diskutohet në parlament, në Kuvendin e Shqipërisë, parametri, synimi, objektivi, matësi duhet të jenë standardet e BE-së, acquis e BE-së. Nuk mund t’i biem rrotull dhe të themi se na duhet më shumë kohë për t’u përshtatur ose për të arritur standarde të caktuara. Ky është objektivi. Sepse ky është vullneti i popullit shqiptar. Kjo është ajo që ata duan të shohin të ndodhë”, u shpreh ai.

Gonzato nënvizoi se, “BE-ja i është përgjigjur kësaj me një ofertë shumë konkrete. Oferta është që ne mund t’i hapim të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2025. Është ambicioze, por është e mundur. Por kjo do të thotë që të gjitha burimet, energjitë dhe vëmendja duhet të përqendrohen tek ai qëllim. Dhe duhet të ketë konsensus të qartë politik. Plani i Reformave dhe Rritjes ishte gjithashtu një përgjigje e Bashkimit Evropian ndaj kësaj thirrjeje për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Dhe logjika e tij është se, nga njëra anë kërkon t’u mundësojë vendeve të rajonit të fillojnë të përfitojnë nga disa aspekte të tregut të përbashkët përpara anëtarësimit. Pra, është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për të përballuar më pas konkurrencën ndaj të cilës do të ekspozoheni pasi të bëheni pjesë e tregut të përbashkët. Por, gjithashtu, u ofron atyre mjetet financiare për të bërë ato reforma që sigurojnë se ekonomia mund ta durojë presionin”, theksoi ai.

Dhe këtu, shtoi Gonzato, “vijnë 920 milionët. Por nuk është një çek bosh. Janë paratë që do të paguhen pasi Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha kushtet e sakta. Këto janë publike. Agjenda e Reformës është konsultuar me njerëzit dhe tani do të publikohet në formën e saj përfundimtare. Këto janë angazhime shumë konkrete të ndërmarra nga qeveria në katër fusha, konkretisht: kapitali njerëzor, mjedisi i biznesit, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, si dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë. Dhe kjo do të ketë edhe një ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve shqiptarë”.

Pra, vijoi ambasadori i BE, “do të ketë një pagesë të parë që do të jetë një lloj çeku fillestar për të nisur reformat. Më pas, dy herë në vit, do të ketë pagesa të cilat lidhen me plotësimin e kushteve specifike”.

Gonzato u shpreh se, “me fillimin e negociatave të vërteta tani, Shqipëria nuk do të duhet të tregojë më vetëm vendosmëri në ndjekjen e reformave, por do t’i nënshtrohet edhe një shqyrtimi shumë më të hollësishëm, më të kujdesshëm nga Brukseli. Dhe kur kam parasysh Brukselin, nuk kam parasysh vetëm BE-në. E kam fjalën edhe për shtetet anëtare të BE-së. Sepse ju e dini që, në fund të fundit, vendimi nëse një vend mund të anëtarësohet në BE apo jo është një vendim që merret nga të 27 vendet. Pra, për këtë, duhet të sigurojmë vërtet që performanca të jetë konsistente, që nuk ka kontradikta, që nuk ka zgjedhje që mund të kritikohen në dritën e asaj çka është acquis e BE-së”.

Gonzato theksoi se 920 milionë euro do të menaxhohen përmes qeverisë shqiptare.

“Shuma totale e Planit të Reformave dhe të Rritjes është 6 miliardë euro, 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi koncesionare. Pra, është një përzierje. Dhe gjysma e parave do të kalojë përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, këto janë para për projekte të mëdha, projekte të mëdha infrastrukturore, por ndonjëherë edhe për investime në kapitalin njerëzor. Pra, gjithçka që ka të bëjë me arsimin, aftësitë, formimin profesional. Sepse nëse doni një ekonomi të begatë, nuk është vetëm çështje e infrastrukturës, është edhe çështje softueri, le të themi. Dhe softuer do të thotë, siç e dini, aftësitë që kanë njerëzit. Pra, kjo do të derdhet në buxhetin shqiptar. Dhe ne do ta monitorojmë zbatimin përmes një sërë treguesish dhe përmes përmbushjes së kushteve që janë në Agjendën e Reformave”, tha ai.

Sa i takon mundësisë që Shqipëria të nisë hapjen e kapitujve të tjerë në muajt e ardhshëm, Gonzato tha se, shtetet anëtare janë të hapura.

“Por, ju e dini, ata duhet të jenë të bindur se Shqipëria është gati për këtë. Grupkapitulli tjetër që mund të hapet mund të jetë i gjashti, që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme. Dhe këtu mendoj se të gjithë e dinë se sa e përafruar është Shqipëria me politikën e përbashkët të sigurisë së jashtme të BE-së. E kam parë vetë në Nju-Jork, kur kam qenë në Kombet e Bashkuara. Pashë sesi Shqipëria po vepronte si të ishte një shtet tjetër anëtar i Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit. Kështu që mendoj se, me gjasë, do të jetë një hap i lehtë përpara. Për pjesën tjetër, do të shohim. Shqipërisë do t’i duhet të dalë me një argument bindës se është gati të nisë negociatat për ata kapituj të veçantë. Ato do të gjykohen nga meritat e tyre, jo për ndonjë gjë tjetër”, tha Gonzato.

Sa i përket qëndrimeve të opozitës lidhur me procesin e integrimit dhe situatën në vend, Gonzato u shpreh se, “nuk ka dyshim, dhe kjo është mjaft e rrallë, nuk ka dyshim që ka mbështetje ndërpartiake për anëtarësimin në BE. Kjo nuk është prerogativë e Partisë Socialiste apo e Partisë Demokratike. Të gjithë mendojnë se ky është plani A, dhe të gjithë e dinë se nuk ka plan B. Dhe kjo e bën punën time, për shembull, jashtëzakonisht motivuese, të jem i sinqertë. Dhe kjo është arsyeja pse e dua atë. Keni vërtet të drejtë që thoni se ka lexime të ndryshme të situatës. Por kur Komisioni Evropian publikon vlerësimin e tij për gjendjen në Shqipëri, dhe raporti i ri vjetor shikon të gjithë shoqërinë”.

“Nuk është vetëm qeveria, është Shqipëria ajo që po vlerësojmë, le të themi, performanca e Shqipërisë dhe e gjithë institucioneve të saj. Ndaj do ta kundërshtoja interpretimin se po tregohemi të mirë me qeverinë dhe jo të mirë me opozitën. Ne po e vlerësojmë Shqipërinë si një sistem shtetëror. Jam në dijeni të qëndrimit të opozitës. Kam shprehur ndonjëherë mendime për disa ankesa të tyre, për shembull, në lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ajo që për mua është një vijë e kuqe është kur fillon të minohet apo të vihet në dyshim reforma në drejtësi e vitit 2016. Për ne, ajo reformë ishte kyçe për fillimin e procesit të negociatave me Shqipërinë dhe kjo nuk mund të vihet në dyshim. Ju e dini, unë kurrë nuk komentoj për çështje individuale gjyqësore. Nuk është puna ime, vërtet. Unë mendoj se drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrugën e saj. Kam besim te sistemi që u vendos në vitin 2016 dhe sigurisht që ishte revolucionar”, tha Gonzato.

“E dini, e gjithë kjo, edhe vetingu i magjistratëve vazhdon ende. Shpresojmë se do të përfundojë shumë shpejt. Por ishte një revolucion për Shqipërinë. Duhet ta lejoni të konsolidohet. Duhet ta lejoni të sjellë fryte. Dhe nëse ka diçka që duhet të bëjmë tani, është ta forcojmë atë reformë, ta thellojmë atë. Jo të fillojmë të vëmë në dyshim parimet e saj”, theksoi ambasadori i BE.

“Arkitektura që u vendos, që garanton që sistemi gjyqësor është i pavarur nga parlamenti dhe qeveria, pra i pavarur nga sistemi politik, është absolutisht kyç për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe, e dini, ajo që më ngushëllon është të shoh se, sipas sondazheve të bëra kohët e fundit, besimi i shqiptarëve në sistemin e drejtësisë po rritet. Dhe është absolutisht thelbësore. Nëse njerëzit nuk kanë besim tek institucionet, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ata thjesht largohen. Sepse nuk mendoj se të rinjtë shqiptarë largohen thjesht se nuk gjejnë punë. Ekonomia po ecën relativisht mirë, ka vende pune. Por ata nuk mendojnë se sistemi, ashtu siç është, i lejon të zhvillohen, i lejon të arrijnë ambiciet e tyre, thjesht bazuar në meritat e tyre. Ata mendojnë se sistemi është, në fakt, një sistem i korruptuar. Pra, roli i gjyqësorit këtu është absolutisht thelbësor”, tha Gonzato.

Sa i takon situatës në Kuvend dhe nëse kjo ka pasoja në procesin e integrimit në BE, Gonzato u shpreh se, “arsyeja pse i lejova vetes të komentoja për marrëdhëniet mes forcave politike në Shqipëri është pikërisht kjo. Sepse procesi i anëtarësimit, siç e them shumë shpesh, nuk është një proces teknokratik. Nuk është diçka që negociohet nga ekspertët në Bruksel. Është një ndryshim shoqëror. Kërkon realisht reforma thelbësore. Kjo është arsyeja pse e quajmë këtë grup kapitujsh “themeloret”, sepse ka të bëjë vërtet me themelet e shoqërisë. Dhe për mua, por jo vetëm për mua, për Brukselin, është e rëndësishme që kur diskutoni për këto reforma të gjitha pikëpamjet të përfaqësohen, të gjitha pikëpamjet të diskutohen në tryezë. Pra, mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës, duke u bërë thirrje që të angazhohen dhe të jenë pjesë e diskutimit, sepse duhet t’i kemi. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”.

“Ata duhet të sigurohen që ky proces të jetë në pronësi jo vetëm të qeverisë apo të shumicës, por të të gjithëve, të të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë civile, biznesit dhe gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare”, theksoi Gonzato.

Lidhur me rezultatin e fundit të Prokurorisë së Posaçme dhe sulmet e vazhdueshme ndaj kreut të këtij institucioni, Altin Dumani, ambasadori Gonzato tha se, “nuk do të komentoj. E vetmja gjë që mund të them është se nëse ka një faktor që ka ndikuar në vlerësimin e situatës në sektorin e sundimit të ligjit nga Bashkimi Evropian, janë pikërisht rezultatet që po arrin SPAK-u. Dhe siç thashë, mendoj se duhet ta lejojmë SPAK-un të punojë. Absolutisht nuk duhet të tolerojmë sulme personale ndaj disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ne duhet t’i mbrojmë ata. Dhe ky është padyshim pozicioni im për këtë”.

Për deklaratën e tij se “SPAK-u po luan një rol kyç dhe vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, ambasadori Gonzato u shpreh se, “është mjaft e qartë që një nga kërkesat që vjen nga BE-ja është që të ketë një historik solid përsa i përket rasteve të ndjekjes penale kundër rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë këtu në Shqipëri. Dhe fakti që SPAK-u ka nisur ta bëjë këtë është absolutisht një shenjë pozitive. Është një shenjë se reforma po funksionon dhe po jep frytet e saj”.

Sa i takon deklaratës së Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Qeverisje të Mirë dhe Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, se nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese nëse ekspertët e këtij komisioni do ta rekomandojnë këtë, Gonzato u shpreh se, “ne vendosëm të marrim pjesë duke i ofruar ekspertizë Komisionit për ta udhëhequr dhe mbështetur në diskutimet e tij. Dhe një nga kushtet e qarta për këtë ofertë ishte që Komisioni të mos vinte në dyshim arkitekturën aktuale kushtetuese. Dhe kur flas për arkitekturën kushtetuese, kam parasysh situatën aktuale që e sheh sistemin e drejtësisë krejtësisht të pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi. Kjo është diçka që nuk është e negociueshme”.

(ATSH)

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

"Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi. Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç"

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

"Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi. Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç"