Gonzato: Dhuna nuk është mënyrë për të dialoguar
Ambasadori i BE: Ndërprerja e mbarëvajtjes së Kuvendit nuk janë rruga e duhur për t’u angazhuar në dialog
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se dhuna dhe ndërprerja e mbarëvajtjes së Kuvendit nuk janë rruga e duhur për t’u angazhuar në dialog.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama, ku i dorëzoi Raportin e Progresit 2024, miratuar një ditë më parë nga Komisioni Europian, i pyetur për kaosin e Partisë Demokratike në Kuvend, Gonzato tha se “shpreson që të gjendet një rrugë për të riangazhuar opozitën, përmes gatishmërisë nga të dyja palët”.
“E dua muzikën, por nuk mendoj se jam dirigjent i mirë. Më mirë rri në auditor e dëgjoj muzikën, por do të keni dëgjuar në mënyrë konstante se duke pasur rëndësinë e reformave që të ndërmarrë Shqipëria është e rëndësishme që opozita të ulet në tryezë. Jam përpjekur ta lehtësoj sa më shumë të jetë e mundur. Jam përpjekur të bëj thirrje dhe të mbaj të përfshirë opozitën”, tha ai.
“Jam përpjekur ta lehtësoj këtë gjë dhe ti bëj thirrje opozitës. Suksesi i Shqipërisë është pronësi e gjithkujt, jo e shumicës apo opozitës, të gjithë duhet të ndihen autorë dhe do të vazhdoj të mbaj këtë mesazh”, u shpreh Gonzato.
Ai tha se ka mënyra të tjera për të shprehur mospajtimin apo mendimin ndryshe.
“Parlamentarët evropianë patën dialog me homologët shqiptarë. Në këtë kontekst, nuk mendoj se dhuna dhe ndërprerja e mbarëvajtjes së veprimtarisë është mënyrë. Ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në dialog politik, që mbështet në ndryshimin e pikëpamjeve. Shpresoj se do gjendet një rrugë për ta riangazhuar opozitën. Nga ana ime mbetem i gatshëm të ndaj çdo informacion që kërkohet, por kjo kërkon edhe gatishmëri dhe angazhim nga të dyja palët, jo vetëm nga ana e qeverisë”, tha Gonzato.
(ATSH)