Gonzato: Orvatje për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor

Ambasadori i BE: Në Raportin e Progresit 2024 evidentohen shqetësime për orvatje për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor


Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi sot se në Raportin e Progresit 2024, të miratuar një ditë më parë nga Komisioni Europian, evidentohen shqetësime për orvatje për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor.

“Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor dhe mangësi sa i takon emërimeve, bazuar në merita të anëtarëve jomagjistratë në KLGJ dhe KLP, dhe sa i përket integritetit të tyre. Komisioni jep rekomandime specifike për të trajtuar këto çështje”, deklaroi Gonzato në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas dorëzimit të Raportit të Progresit 2024.

Më tej, Gonzato tha se Raporti vëren progres disi në luftën kundër korrupsionit dhe kjo, sipas tij, ndodh për shkak të punës së shkëlqyer nga SPAK, që ka vazhduar të prodhojë rezultate konkrete, përfshirë dhe për çështje që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë.

Sipas tij, funksioni i gjyqësorit vijon të zërë hapësirë të madhe në Raportin vjetor.

Sa i takon cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë, ambasadori Gonzato tha se, raporti thekson nevojën për të përmirësuar zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe bën thirrje për më shumë përpjekje për të siguruar shtrirjen graduale të integruar të menaxhimit të çështjeve.

“Shoh progres konkret në këtë drejtim. Korrupsioni vazhdon të shihet si një shqetësim serioz. Raporti vëren progres disi në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer nga SPAK, që ka vazhduar të prodhojë rezultate konkrete përfshirë edhe për çështje që përfshin politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë. Përdorimi sistematik i SPAK-ut, i hetimeve financiare dhe konfiskimit të aseteve, po kështu është përmirësuar”, u shpreh ai.

Komisioni, vijoi ambasadori, bën thirrje për përpjekje për të forcuar më tej rritjen e referimeve proaktive të institucioneve përkatëse në SPAK.

Ai theksoi se Komisioni Europian bën thirrje për vlerësimin të synuar të rrezikut për sektorët vulnerabël.

“Komisioni bën thirrje për vlerësim të synuar të rrezikut për sektorët vulnerabël. Zbatimi i strategjisë së re kundër korrupsionit, miratimi i së cilës është i shpejtë, duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim këtu”, u shpreh Gonzato.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Gonzato tha se është bërë disi progres.

“Kur vjen fjala për luftën kundër krimit të organizuar, Komisioni konsideron se është bërë disi progres në këtë drejtim, sërish falë SPAK që ka rritur kapacitetin në investime, në hetimet financiare, forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimit të aseteve të lidhura me krimin e organizuar”, tha ai.

Ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë të vijojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të zbatimit të ligjit.

“Rekomandime kyçe përfshijnë edhe nevojën për të vazhduar bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së, për të luftuar krimin kibernetik dhe pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, deklaroi ambasadori i BE-së.

Lexo më shumë nga

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.