Hoxha: Koha kur urdhrat e prokurorisë nuk ekzekutoheshin, nuk ekziston më
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha reagoi sot ndaj akuzave të deputetëve të opozitës lidhur me kontejnerët me mbetje të kthyera në portin e Durrësit.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha reagoi sot ndaj akuzave të deputetëve të opozitës lidhur me kontejnerët me mbetje të kthyera në portin e Durrësit.
Ministri Hoxha u shpreh se, “urdhri i Prokurorisë i Rrethi Gjyqësor Durrës ka dalë në datën 27.10 2024. Kjo ka qenë një ditë e diel. Ne jemi koordinuar plotësisht për sa i përket zbatimit të këtij urdhri, dhe unë të siguroj që ne nuk jemi në periudha ku urdhrat e prokurorisë nuk zbatohet. Kjo periudhë ka mbaruar, nuk është më fare aktualitet”.
“Në bashkëpunim me Doganën, Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese po krijohet infrastruktura e përshtatshme e vendosjes konform ligjit të këtyre kontejnerëve në hapësirat publike, të cilat do të kontrollohen dhe monitorohen nga policia”, tha Hoxha.
Ministri theksoi se, “janë mbi 102 kontejnerë të cilët kërkojnë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk janë disa kuti kartoni që ne mund t’i fshehim dhe mund t’i fusim kudo ku ju mendoni. Pra këto kontejnerë do të vendosen në një hapësirë e cila do të monitorohet me punonjës policie”.
Hoxha nënvizoi se, urdhri i Prokurorisë është totalisht 100% i ekzekutueshëm.
“Ne po marrim masat në koordinim me të gjithë strukturat për ta bërë këtë urdhër të ekzekutueshëm. Koha e urdhrave të prokurorisë kur jepeshin dhe nuk ekzekutoheshin nuk ekziston më dhe për këtë gjë shumë drejtues, punonjës të policisë të atëhershëm janë në SPAK për të dhënë llogari që nuk kanë zbatuar urdhrat e prokurorive”, tha Hoxha.
(ATSH)