Rama: Numri i vrasjeve ka rënë në mesataren e vendeve europiane
Kryeministri: Krimi është më i zmbrapsur se kurrë ndonjëherë në historinë e vendit.
Kryeministri Edi Rama tha sot se “numri i vrasjeve në Shqipëri sot ka rënë në një mesatare që është si ajo e vendeve europiane”, ndërsa kutjoi se kur erdhi në qeverisje në Shqipëri ndodhte një vrasje çdo tre ditë.
I ftuar në një studio televizive, Rama iu përgjigj interesit lidhur me situatën e sigurisë në vend, duke marrë shkas edhe nga ngjarja e djeshme në Shkodër ku humbi jetën edhe një kalimtare e rastit.
“Krimi është më i zmbrapsur se kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Patjetër që këto janë tragjedi, nuk diskutohet. Por ne e kemi marrë detyrën me mesatarisht 110-115 vrasje në vit. Pra një vrasje në 3 ditë dhe sot jemi në numrin më të ulët të vrasjeve që vjen duke u ulur progresivisht”, tha Rama.
Sipas tij, “krimi në Shqipëri është më i tkurrur dhe i zmbrapsur se kurrë ndonjëherë në historinë e vendit”.
“Nuk ka përfunduar. Kjo betejë vazhdon por çdo vit numri i vrasjeve është në rënie dhe ky vit është me numri më të vogël të vrasjeve qysh se kur unë kam marrë detyrën”, tha Rama.
Rama tha se i referohet edhe të gjitha të dhënave të tjera dhe qëndrimeve të gjithë institucioneve partnere ndërkombëtare kur thotë se “ne sot jemi në një pikë kthese shumë të madhe në luftën me krimin e organizuar”.
I pyetur mbi publikimet e bisedave në platformat Encrochat dhe Sky, Rama tha se kjo histori i takon organeve ligjzbatuese ta hetojnë.
(ATSH)