Hasani takon homologun norvegjez: Përkushtim për sigurinë dhe stabilitetin evropian
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një diskutim të frytshëm me homologun norvegjez, Espen Barth Eide
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë qëndrimit në Kanada zhvilloi një diskutim të frytshëm me homologun norvegjez, Espen Barth Eide, për thellimin e partneritetit Shqipëri – Norvegji.
Hasani u shpreh mirënjohës për mbështetjen e vlefshme dhe angazhimin proaktiv të Norvegjisë në Ballkanin Perëndimor.
“Si aleatë të NATO-s jemi të bashkuar në përkushtimin për sigurinë dhe stabilitetin evropian, një prioritet urgjent në aktualitetin kompleks ku po jetojmë”, nënvizoi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë dje në Konferencën e Ministrave mbi Dimensionin Humanitar të Formulës së Paqes në Ukrainë.
Aktiviteti i bashkorganizuar nga Kanadaja, Norvegjia dhe Ukraina, kishte për qëllim trajtimin e krizës humanitare që ka shkaktuar agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe diskutimin mbi ndihmat dhe mbështetjen ndërkombëtare për zbutjen e pasojave të luftës.
Ky aktivitet është pjesë e Formulës së Paqes të Ukrainës, një iniciativë e udhëhequr nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që ka për synim arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë për Ukrainën.
(ATSH)