Takimi me shqiptarët në Selanik, Rama: Rikthehem me kënaqësi në vendin ku historia na ka lidhur me një mijë fije
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në 3 nëntor një takim me shqiptarët në Selanik, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në 3 nëntor një takim me shqiptarët në Selanik, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.
Takimi organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, ndërsa vjen pas vendosjes të së drejtës së votës për çdo shqiptar jashtë Shqipërisë.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale njoftimin për këtë takim, i cili do të organizohet të dielën e 3 nëntorit, në orën 11:00, në Selanik.
“Pasnesër do të rikthehem me një kënaqësi krejt të posaçme tek shqiptarët e Greqisë, këtë herë në Selanik, ku historia na ka lidhur me një mijë fije dhe e sotmja na bashkon më shumë se asnjëherë me fqinjët tanë jugorë, si dy popuj europianë që edhe për pak vite do jenë krah për krah në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Turin e bashkëbisedimit me diasporën, kryeministri Rama e ka nisur në 12 maj 2024 nga Athina, për të vijuar më pas në 26 maj në Milano, Itali, dy shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë.
Në 26 tetor, Kryeministri Rama zhvilloi po ashtu takimin në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës, të cilëve u kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme për të vijuar punën drejt misionit për ta bërë Shqipërinë vend anëtar në BE.
(ATSH)