Censi 2023: Shqipëria numëron 2 402 113 banorë
Një e treta e popullsisë shqiptare, 31,6%, banon në qarkun e Tiranës. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6 dhe 2,5 të popullsisë
Popullsia banuese në Shqipëri, sipas numërimit në momentin e censit – mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023, rezulton 2.402.113, prej të cilëve, 49,6 % janë meshkuj dhe 50,4 % femra.
INSTAT publikoi të dhënat përfundimtare mbi Censin 2023, sipas të cilit, popullsia banuese në Shqipëri shënoi rënie prej 420 mijë banorë, krahasuar me Censin 2011, kur u numëruan 2.821.977 persona.
Sipas të dhënave, rënia e popullsisë ndjek trendin e konstatuar prej vitit 1990, i cili vjen si fenomen i emigracionit.
Nga popullsia banuese gjithsej, 99,4 % kanë shtetësi shqiptare, ndërsa 98,3 % janë të lindur në Shqipëri. Midis atyre të lindur jashtë vendit, afërsisht gjysma, 46,2 % kishin lindur në Greqi dhe 16,6 % në Itali. Nga të dhënat e Censit u vlerësuan 108.503 imigrantë.
Përafërsisht, një e treta e popullsisë shqiptare 31,6% banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10%, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6 dhe 2,5 të popullsisë respektive. Në të gjitha qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie përgjatë periudhës 2011-2023.
Rezultatet e Censit të vitit 2023 tregojnë një shkallë të alfabetizmit (aftësia për të lexuar dhe shkruar një deklaratë të shkurtër dhe të thjeshtë për jetën e tyre të përditshme) prej 97,7% për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart, nga 97% që ishte në Censin e vitit 2011.
Numri gjithsej i njësive ekonomike dhe familjare është 755.950, rritur me 4,7%, krahasuar me Censin 2011. Përqindja e banesave të zakonshme të pabanuara është 32,9%.
(ATSH)