Komiteti i Medias së UEFA-s mblidhet në Tiranë, Duka: Vlerat e futbollit të arrijnë tek të gjithë tifozët në Europë
Ky komision përbëhet nga përfaqësues të federatave europiane dhe zyrtarët të UEFA-s.
Federata e Futbollit mirëpriti paraditen e kësaj të premteje mbledhjen e radhës së Komitetit të Medias së UEFA-s. Një mbledhje e organizuar si asnjëherë më parë në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në “Shtëpinë e Futbollit”, nën drejtimin e kryetarit të këtij Komiteti, Armand Duka. Ky komision përbëhet nga përfaqësues të federatave europiane dhe zyrtarët të UEFA-s.
Përpara se të deklaronte të hapura punimet e mbledhjes, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në këtë seancë. Presidenti Duka u shpreh se ndihet i nderuar që Federata mirëpret në Tiranë një mbledhje të Komitetit të Medias, ndërsa nënvizoi edhe zhvillimet që ka pësuar Shqipëria vitet e fundit në infrastrukturë, në zhvillimin e talenteve të rinj dhe investimet në aspekte teknike e strategjike të lojës.
“Komiteti i Medias i UEFA-s dhe të gjithë ne luajmë një rol të rëndësishëm në formësimin e mënyrës sesi bota përjeton dhe angazhohet me futbollin. Puna jonë siguron që vlerat dhe historitë e futbollit të arrijnë te tifozët nga çdo cep i Europës”, u shpreh Duka.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Medias së UEFA-s u diskutuan çështje të ndryshme që lidhen me promovimin e futbollit në nivel europian.