Leksione gjethesh!
Ti je në dritaren e vjeshtës dhe sheh lëkundjen…
Nga Laura Olldashi
***
Leksione gjethesh
Pikëza të rëna mbi të sipërmen qetësi. Thellësia mbetet në zhurmë.
Shpirti është sferë. Rrotullohet, del nga aty për të prekur qiejt e hapur.
Mund të humbi fluturimin e mësuar përmendësh, dhe të bie me forcë mbi rrugë.
A ka forcë shpirti? Çfarë përplaset mbi tokën e thatë?
Një flutur më rrotullohet ndër sy. Është ajo, që dikur ishte brenda meje por tani ka vdekur. Është munduar të më hyj përsëri por nuk e di si ngjallen gjërat. Pastaj koha më shtyn në të tjera veprime, mendime, ngjarje. Më merr me vete dhe bëhem një brenda njëqindëshit.
Fytyrë e verdhë, e shtyrë nga era.
pak më tej…
pak më tej…
pak më tej…
Ti je në dritaren e vjeshtës dhe sheh lëkundjen e gjërave që s’bien. Dritare e madhe. Poshtë një kopshti, rrethuar nga fasada të vogla ndërtesash. Tavolinë e zezë prej hekuri, dy karrige bosh dhe një dorë që shkund hirin e cigares. Pema në krahë që pothuajse prek xhamat.
Gjërat shihen nga larg për mos ti jetuar nga brenda.
Ti bën, çfarë ke bërë çdo vjeshtë. Vesh xhaketën e errët. Merr bastonin e drurit. Tërheq ngadalë kafenë. Ndër gishta shtyp cigaren dhe pleqërisht i afrohesh perdeve të bardha. I bindur, që perdet të ruajnë nga sytë e huaj. Janë aty për t’i vënë kufi vështrimit. Magritte e kishte thënë: një gjendje përpara syve apo të jesh ti gjendja!?
Ja edhe tani si tetëdhjetë vjet, vazhdon të shohësh jo me të njëjtin vështrim.
Objekti ndryshon sa herë vdesim.
Qetësia e ka një emër. Është rënia. Lehtësia e trupit pa asnjë gravitet.
Ti, në dritare mahnitesh nga forca që kanë gjethet në mos shkëputjen e tyre. Nuk dinë të jetojnë lehtë dhe të bien. Nuk dinë të marrin ringjallje të reja. Të lodhura nga ikjet.
– “Gjërat që rrinë, gjërat që rrinë, ato mbesin!” – i thotë një shpirt i vjetër që nuk i vallëzon më.
Ah, sikur ta dija si rrihet!
(punuar me mrekullinë e tingujve “Dancing souls”)
~ Lauraolld
1 Nëntor 2024