Celibashi: Po punojmë me PD-në për të mundësuar votimin elektronik në qarkun Tiranë
Për herë të parë Shqipëria pritet të përfshijë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm votimin e emigrantëve dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u shpreh optimist se Komisioni Rregullator do të miratojë aktet e nevojshme për të bërë të mundur këtë proces.
Për herë të parë Shqipëria pritet të përfshijë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm votimin e emigrantëve dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u shpreh optimist se Komisioni Rregullator do të miratojë aktet e nevojshme për të bërë të mundur këtë proces.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Celibashi u shpreh se është e qartë që klima politike relativisht e acaruar në Shqipëri nuk e ndihmon në përgjithësi procesin përgatitor zgjedhor.
“Por deri në momentin që ne flasim, nuk duket që kjo ka ndikuar procesin e miratimit të akteve nga Komisioni Rregullator dhe në përgjithësi të aspekteve tjera rregullatore apo përgatitore, të cilat Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka përgjegjësi të deleguara nga Kodi Zgjedhor”, shtoi ai.
Ndërsa palët politike në Shqipëri, nuk arritën dakordësi për numrin e qarqeve ku do të realizohej votimi dhe numërimin elektronik, në intervistën për Zërin e Amerikës, Celibashi tha se po punohet me përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera që janë skeptike, me qëllim që të realizohet votimi elektronik në qarkun e Tiranës.“Ngelet kusht që të ketë një dakordësi nga gjithë spektri opozitar në lidhje me këtë proces edhe pse konsideratat e qoftë Partisë Demokratike apo të dikujt tjetër në lidhje me votimin elektronik nuk lidhen me sistemin në vetvete, por me qasjen e personelit teknik ndaj këtij sistemi”, tha ai.
“Zhvillimi i këtij procesi, i kësaj mënyre të votimit e ka në themel kërkesën për një konsensus sa më të gjerë të faktorit politik. Për sa kohë që partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike nuk ka dhënë një mbështetje, kam frikë se ne si institucion përgjegjës për përgatitjen e procesi zgjedhor nuk mund të ecim përpara. Gjithsesi, do të duhet ta them dhe ta bëjë publike se do të vazhdojmë të punojmë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe ndonjë partie tjetër, e cila ka një lloj skepticizmi për votimin elektronik, që të mundësohet. Do të ishte mirë edhe për atë që përfaqëson nga pikëpamja politike dhe elektorale qarku i Tiranës, por edhe për faktin që shumica dërrmuese e faktorit politik në Shqipëri e mbështet zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë, mund të konsiderojmë opsionin e zhvillimit të votimit elektronik në qarkun e Tiranës. Por, gjithsesi ngelet kusht që të ketë një dakordësi nga gjithë spektri opozitar në lidhje me këtë proces edhe pse konsideratat e qoftë Partisë Demokratike apo të dikujt tjetër në lidhje me votimin elektronik nuk lidhen me sistemin në vetvete, por me qasjen e personelit teknik ndaj këtij sistemi. Përsëri, mendoj që është e rëndësishme që të adresohet ky shqetësim dhe të shpresojmë që në një moment të dytë të ekzistojë edhe mirëkuptimi dhe konsensusi i të gjithëve për këtë proces”, tha Celibashi.
I pyetur nëse mund të ketë ndryshime të Kodit Zgjedhor në momentin e fundit, Celibashi tha se koha nuk premton për të bërë ndryshime të kësaj natyre sepse do të duhet që të jetë një konsensus i plotë politik.
“Edhe nga ana tjetër unë nuk jam për atë që partitë politike të zhvishen tërësisht nga e drejta e tyre për të qenë në administrimin e procesit zgjedhor, por do të duhet që ato të kenë kufizime në administrimin e procesit zgjedhor. Koha nuk premton. Momenti nuk duket edhe aq i mirë dhe do të duhet ta pranojmë, të jemi të sinqertë me këtë. Por, nuk i dihet ndonjëherë”, përfundoi ai. /VOA/