Vengu në Gjirokastër: Fond i konsiderueshëm në dispozicion të bashkive për projekte të emergjencave civile
Aplikimi i njësive vendore për fondin e Mbrojtjes Civile mund të kryhet nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Menaxhimi i situatave të emergjencave civile ka një kosto disa herë më të lartë sesa investimi paraprak.
Kështu theksoi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu gjatë një takimi në qarkun e Gjirokastrës ku paraqiti thirrjen për njësitë vendore që të aplikojnë për fondin e Mbrojtjes Civile.
Vengu tha se për këtë qëllim, Qeveria këtë vit ka vendosur në dispozicion të njësive bashkiake një fond të konsiderueshëm.
Të pranishëm në takim ishin prefekti i Gjirokastrës Odise Kote, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, si dhe kryebashkiakët e këtij qarku.
“Gjirokastra, Këlcyra, Përmeti, Tepelena, Memaliaj, Dropulli dhe Libohova nënvizuan problemet dhe nevojat e tyre, duke prezantuar idetë për projektet që duhet t’i dorëzojnë deri më 25 nëntor”, u shpreh Vengu.
Aplikimi i njësive vendore për fondin e Mbrojtjes Civile mund të kryhet nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes:
Tre fushat në të cilat Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive në të gjithë vendin që të paraqesin projektet e tyre janë:
- Investimet në infrastrukturë, ku do të pranohen projektet me një shumë totale financiare jo më të lartë se 100.000.000 lekë. Thirrja në këtë fushë përfshin edhe urat Bailey;
- Blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë; Këto mjete do të përdoren për përballimin e situatave emergjente të krijuara si pasojë e fatkeqësive natyrore;
- Rehabilitimi i digave, ku kostoja totale e projektit nuk duhet të kalojë shumën prej 50.000.000 lekësh;
Përmes kësaj thirrjeje, Ministria e Mbrojtjes synon të rrisë vigjilencën dhe Mbrojtjen Civile në të gjithë vendin e njëherësh synon forcimin e strukturave lokale për të përballuar me sukses rastet e emergjencave.