Koçiu: Hartë e “tetorit rozë” për çdo qark të vendit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu: Beteja me luftën kundër kancerit të gjirit vazhdon përtej muajit tetor
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot në rrjetet sociale se beteja me luftën kundër kancerit të gjirit vazhdon përtej muajit tetor dhe tashmë ka një hartë të “tetorit rozë” për çdo qark të vendit.
“Çdo muaj, në çdo qark të Shqipërisë, do të ofrohet mundësia për të kryer mamografi falas, pa nevojën për referim nga mjeku, nga ora 8:00 deri në 20:00. Kanceri i gjirit është një betejë që mund të fitohet përmes parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm. Prandaj, mos prisni! Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe bëni kontrollin e radhës”, thuhet në postimin e ministres Koçiu në rrjetet sociale.
Ministrja Koçiu në aktivitetin përmbyllës në kuadër të “tetorit rozë” që u mbajt dje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u shpreh se muaji tetor u shoqërua me aktivitete të shumta ndërgjegjësuese nga veriu në jug, nga qendrat shëndetësore te bashkitë e mëdha, tek institucionet e kujdesit shëndetësor dhe te çdo organizata e shoqërisë civile, te sheshet dhe rrugët të cilat u bënë dëshmitare të marshimeve dhe të takimeve të organizimeve ku u fol për rëndësinë që merr diagnostikimi i hershëm.
(ATSH)