Durrësi, “kryeqyteti” i turizmit!

Drejtori i Turizmit në bashkinë e Durrësit, Lorenc Smajli, për ATSH-në: Destinaconi i 1.5 milionë turistëve


Qyteti bregdetar i Durrësit këtë sezon turistik veror ka qenë zgjedhja dhe destinacioni i parë i më shumë se 1,5 milionë turistëve dhe vizitorëve nga rajoni, Evropa dhe e gjithë bota.

Drejtori i Turizmit në bashkinë e Durrësit, Lorenc Smajli në një intervistë për ATSH-në tha se “zgjedhja e Durrësit si destinacion i preferuar turistik janë pa dyshim vija bregdetare e mrekullueshme prej 64 kilometra si dhe trashëgimia e pasur historike kulturore e Durrësit”.

E gjithë vija bregdetare e Durrësit ofron një hapësirë të konsiderueshme dhe të larmishme me plazhe ranore dhe pjesërisht shkëmbore si edhe struktura hoteliere apo agroturizëm, të cilat ofrojnë shërbime turistike për të gjithë turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj.

Durrësi është destinacioni më i madh turistik në vendin tonë, ndryshe ai njihet edhe si kryeqyteti i turizmit në Shqipëri.

“Durrësi, duke shërbyer si nyja kryesore e transportit në vend, është kthyer jo vetëm në një destinacion veror për plazh, por edhe në një destinacion turistik gjithëvjetor. Vitin e kaluar ishin rreth 1 milion turistë që e kanë vizituar qytetin tonë ndërsa këtë vit duke parë është më tepër se 1 milion e 500 mijë vizitorë. Gjithashtu, nëse do t’i referohemi statistikave të fundit, shënohet një rritje e numrit të hyrjeve në Portin e Durrësit, ku vetëm për 9 mujorin e vitit 2024 numërohen 377,574 hyrje në total, pra 13,4% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, theksoi Smajli.

Po kështu, tha Smajli, për 9-mujorin e vitit 2024, numërohen 13 kroçera dhe 450 jahte të ankoruara në Portin e Durrësit.

“Ndërkohë që, për sa i përket numrit të turistëve ditorë të jahteve dhe kroçerave për 9- mujorin e vitit 2024 numërohen 4,457 në total, ose 25.4% më shumë se 9 mujori i vitit 2023”, shtoi ai.

Qyteti i Durrësit është një destinacion tërheqës për turistët nga Italia, Franca, Gjermania, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Luksemburgu, Belgjika, Zvicra, Austria, Portugalia, Spanja, Greqia, Polonia, Kroacia, Rumania, Bullgaria etj, apo dhe vendet nordike si Suedia, Norvegjia, Finlanda ashtu sikurse edhe nga vendet e rajonit si Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë Hercegovina.

Për më tepër, vlen të theksohet, se dy vitet e fundit turistë të shumtë vijnë edhe nga shtete të tjera si: SHBA-ja, Kanadaja, Argjentina, India, Japonia, Australia, Zelanda e Re etj. Pra, mund të themi se turistë nga e gjithë bota zgjedhin Durrësin për të kaluar pushimet e tyre.

“Durrësi mban fluksin më të madh të akomodimit të turistëve, ku shënohen rreth 206 struktura akomoduese në total (hotele, apartamente/dhoma me qira), nga ku 168 subjekte ushtrojnë aktivitet “Hoteleri” brenda territorit të Bashkisë Durrës. Para 10 viteve kishte më shumë kërkesa për të ndërtuar apartamente ndërsa sot ka më tepër kërkesa për të ndërtuar infrastrukturë hoteliere sepse duket qartë që turizmi është një sektor i sigurt për të investuar dhe gjithnjë në rritje. Ka tashmë marka ndërkombëtare hotelesh Movenpick, IHG Hotels, Crown Plaza, Ramada, Melia etj, që kanë besuar tek potenciali i Durrësit si qytet turistik për të ndërtuar infrastrukturën e tyre në këtë industri, e cila përbën motorin kryesor të zhvillimit ekonomik të qytetit të Durrësit”, nënvizoi Smajli.

Për sa i përket potencialeve akomoduese në qytetin e Durrësit, Smajli theksoi se numri i dhomave që ofrohen për të gjithë pushuesit është 5859 dhoma në total, ndërsa numri i shtretërve është 13 545 shtretër në total.

“Nëse do të bënin një përllogaritje të thjeshtë, pra nëse do të shumëzonin numrin e shtretërve në total me numrin e netëve gjatë 3 muajve të sezonit turistik veror, atëherë do të kemi 1 219 050 të akomoduar në strukturat pritëse në bashkinë Durrës. Këta mund të jenë pushues vendas apo të huaj gjithashtu”, tha Smajli.

Sa i përket rezervimeve në hotele e bujtina edhe gjatë periudhës së vjeshtës, Smajli u shpreh se “ne e kemi objektiv rivitalizimin e trashëgimisë sonë kulturore, gjë që do të sjellë impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor i cili është synimi kryesor dhe vizioni ynë për të promovuar qytetin nëpërmjet kulturës. Të gjitha llojet e turizmit që zhvillohen në Durrës po i japin kohëzgjatje gjithnjë e më të madhe sezonit derisa të mbërrijmë në atë gjithëvjetor”.

“Aktualisht sipas informacioneve nga operatorët turistikë vijojnë në mënyrë të kënaqshme rezervimet në hotele bujtina dhe turistët që vizitojnë qytetin tonë vijojnë të jenë të shumtë”, tha ai.

Turizmi kulturor

Përveç turizmit të detit dhe rërës Durrësi ka edhe një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme pasi qyteti ynë është i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike si: Amfiteatri romak, Muret Rrethuese të Kalasë së qytetit, Shesh Tregu Bizantin, Kulla Veneciane, Termet antike Romake, Bazilika e Arapaj, Fortifikimi i Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Kalaja e Ishmit etj.

“Vetëm gjatë 9 mujorit të vitit 2024, numri i vizitorëve vetëm në Amfiteatër dhe tek Torra Veneciane është 26,444 vizitorë, nga ku shënohet një rritje prej 14 % në krahasim me të njëjtën periudhë për vitin 2023, ku numërohen 23,192 vizitorë”, tha Smajli.

Në kuadër të promovimit të potenciale turistike të qytetit, janë ndërmarrë dhe po ndërmerren një sërë fushatash apo aktivitetesh promocionale me fokus trashëgiminë kulturore, atraksionet/destinacionet turistike, restorantet, subjektet e agroturizmit, shtigjet natyrore për ecje etj.

“Kjo fushatë promovuese e potencialeve të qytetit të Durrësit, shërben si një promotor i mbrojtjes dhe ruajtjes së burimeve dhe vlerave të pazëvendësueshme kulturore, turistike dhe natyrore të qytetit”, theksoi Smajli.

Smajli u shpreh se “këtë sezon kemi një kalendar mjaft të pasur artistik me aktivitete teatrore, operistike, kulturore e artistike, kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu pas nisjes së disa projekteve të rëndësishme si ai i stadiumit të ri, akademisë sportive Manchester City, akademisë tjetër elitare të Rafael Nadal, Durrësi ishte edhe një destinacion i xhiros së Italisë në varka me vela, një lajm shumë i mirë jo vetëm sportiv. Po kështu qyteti ynë mirëpret shumë aktivitete të tjera sportive ndërkombëtare”.

(Marrë nga ATSH)

Lexo më shumë nga

Polifonia e mendimit në krijimtarinë e Natasha Lakos

Natasha Lako ka dhënë një kontribut të vyer në letërsi. Ajo është evidentuar si një zë i fuqishëm poetik.

Global 360

“Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë”, Osmani vizitë pune në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikë

Diplovista

Rama për “Berliner Zeitung”: Sot jemi vendi me përparimin më të shpejtë drejt BE

Kryeministri shqiptar Edi Rama flet për ”Berliner Zeitung” për procesin e ngadaltë të anëtarësimit të vendit të tij në BE,…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Polifonia e mendimit në krijimtarinë e Natasha Lakos

Natasha Lako ka dhënë një kontribut të vyer në letërsi. Ajo është evidentuar si një zë i fuqishëm poetik.