Gonxhja: 6.2 miliardë lekë më shumë për ekonominë, kulturën dhe inovacionin
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit: 40% e fondeve për projektet kulturore
Projektbuxheti i vitit 2025 për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rritet me 6.2 miliardë lekë, duke mbështetur veçanërisht sektorin e kulturës, inovacionit dhe sigurimeve shoqërore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja raportoi në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, duke u ndalur në mënyrë të detajuar te buxheti i kulturës.
Gonxhja tha se totali i buxhetit për vitin 2025 është me një rritje prej 12.5%, ose me 6.2 miliard lekë më shumë se sa viti 2024.
“Gjatë vitit 2024 në MEKI jemi përpjekur maksimalisht që të integrojmë më së miri zhvillimin ekonomik me kulturën, duke barazpeshuar nevojat për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe presionin pozitiv që përbën inovacioni në ekonominë moderne dhe në urgjencën për të mbrojtur nga ana tjetër trashëgiminë kulturore dhe për të ngritur një sistem të mirëfilltë ekonomik”, tha Gonxhja
Një nga ndërhyrjet që është bërë për planifikimin e mirë të buxhetit, sipas tij, ka qenë ulja e ndjeshme prej 18.2% e fondeve për menaxhim dhe administrim, të cilat i kanë kaluar sektorëve jetikë.
Duke u ndalur te kultura, Gonxhja theksoi se ka rritje me 4.2% të tavanit buxhetor për artin dhe kulturën, si dhe me 5.3% të tavanit buxhetor për programin e trashëgimisë kulturore, krahasuar me vitin 2024.
Po ashtu, ministri theksoi se programi kombëtar i granteve është rritur me rreth 20%, krahasuar me vitin 2024.
Gonxhja theksoi se 40% e tavanit të investimeve për gjithë ministrinë shkojnë për programet e kulturës.
“Totali i investimeve të alokuara për MEKI në vitin 2025 është 4.35 miliardë lekë. Fondet më të larta për investime janë alokuar për projektet e kulturës, që kapin vlerën 1.78 miliardë lekë, ose rreth 40% e totalit të tavanit për investime”, tha ministri.
Objektivi kryesor, sipas tij, “është mbështetja e aktiviteteve artistike dhe kulturore duke u siguruar që të forcohet roli i artit si komponent kyç në forcimin e identitetit kombëtar dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Synohet rritja e aksesit në kulturë, mbështetja e artistëve të rinj, zgjerimi dhe përmirësimi i tregjeve kulturore. Me buxhetin 2025 mbështesim shkëmbimin kulturor me diasporën dhe krijimin e urave akoma dhe më lidhëse midis artistëve tanë dhe atyre të diasporës”, tha ministri.
Gonxhja theksoi se këtë vit për herë të parë, përveç javëve kulturore ndërkombëtare do të organizohen edhe ditët kulturore shqiptare në botë, me theks edhe te diplomacia ekonomike.
“Deri tani për 3 vite rresht kemi pasur javët kulturore ndërkombëtare në Shqipëri. Tani do kemi edhe ditët shqiptare të kulturës në botë, në shtetet kryesore, por edhe me theks te diplomacia ekonomike. Ndërkohë edicioni i 4-t i javëve ndërkombëtare kulturore parashikon pjesëmarrjen e 22-25 shteteve dhe shtrirjen në kohë nga muaji prill në nëntor 2025”, tha Gonxhja. (ATSH)