Muzhaqi: Qendra Multifunksionale Durrës, në shërbim të 73 mijë të rinjve
Kjo Qendër Rinore Multifunksionale është e aksesueshme dhe për personat me aftësi të kufizuara.
Përfundoi ndërtimi i i Qendrës Rinore Multifunksionale Durrës e cila do t’u shërbejë rreth 73.000 të rinjve të këtij qyteti. Kjo qendër vjen si bashkëfinancim i Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Bashkisë Durrës.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksoi se nga ndërhyrjet në infrastrukturën rinore në njësitë e vetëqeverisjes vendore, kanë përfituar dhe vijojnë të përfitojnë 108,233 të rinj nëpërmjet projekteve të cilat kanë në fokus ngritjen e 5 qendrave multifunksionale rinore përkatësisht në bashkitë Mat, Sarandë, Malësi e Madhe, Fier e Librazhd dhe rehabilitimin dhe përmirësimin e kushteve të qendrës rinore ekzistuese në bashkinë e Korçës.
Qendra Rinore multifunsionale Durrës ka një hapësirë afro 300 m², do të ketë dy ambiente: në njërën nga hapësirat do të ofrohet një ambient për bibliotekë së bashku me sallën e leximit, ndërsa në hapësirën tjetër do të ofrohet një ambient i përshtatshëm dhe bashkëkohor për të rinjtë e bashkisë së Durrësit, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve rinore si: trajnime, konferenca, tryeza të rrumbullakta.
Ndërmjet bibliotekës dhe ambientit për zhvillimin e aktiviteteve rinore, do të jetë dhe një hapësirë e dedikuar për aktivitete rekreative. Pra, programi parashikon krijimin e një “co-working space”, që shërben edhe si hapësirë takimi, krijimin i një biblioteke të vogël si edhe ambienteve rekreative. Për këtë arsye projekti është konceptuar të jetë polifunksional.
Kjo Qendër Rinore Multifunksionale është e aksesueshme dhe për personat me aftësi të kufizuara.
(ATSH)