Romani “Brirët” i Marash Mirashit, një surprizë e bukur në letërsinë e re shqiptare!
“Faleminderit Marash, për kënaqësinë që na ke dhënë me këtë roman, brilant”.
Nga Prof. Dr. Lufter Xhuveli
Profesor Emeritus
Dikur mezi i prisnim sa të dilnin romanet e rinj apo vëllimet me vjersha, për ti lexuar. Sot, ka kaqë shumë botime, saqë nuk di kë të zgjedhësh. Për daljen e romanit “Brirët”, më ka njoftuar sëpari miku im, shkrimtari shqiptaro-amerikan Shefqet Meko. Marash Mirashi ka në process botimi një roman “Bombë”, më shkruante Shefqeti. Dhe kështu prita sa romani të delte.
Romani “Brirët” është befasues, plot risi e fantazi. Ai është sa argëtues aqë dhe të fut në mendime. Me një gjuhë të zhdërvjellët e lakonike, aty mpleksen organikisht fantazia, tregimi, përshkrimi, humori me ironinë, metafora me alegorinë dhe here here edhe me sarkazmën. Në roman gjen përkthimin e realitetit të djeshëm apo dhe të sotëm të Shqipërisë, në një prozë me nota groteske.
Merr romanin në dorë dhe qesh me vete për titullin. Lexon librin dhe sikur hallet e dynjasë të kesh mbi supe, nuk mund të mos vesh buzën në gaz, apo të mos qeshësh me zë, saqë kush do të shikonte në atë çast do të thoshte: “gjynah, është goxha burrë, paska lajthitur I shkreti”. Kisha kohë që nuk kisha qeshur duke lexuar, ndoshta që nga koha kur kam lexuar Don Kishoti-n e Servantesit, apo Shvejkun e Hashekut dhe Shoku-n Zylo të Dritëroit. Lexon romanin dhe qesh, ndërkohë mendohesh. Mendja të arratiset dhe ku nuk të shkon. Lexon për bëmat e Margitës dhe Xhonit (lopa dhe demi) dhe mendja te shkon te “Ferma e Kafshëve” e George Orwellit,
Lexon skedën e Babzilandit dhe emblema e tij me dy brirë, të kujton historinë e Wellsit, kur aty nga shekulli i 15-të, në një betejë me saksonët, mbreti I Wellsit vuri re se të dy ushtritë kishin uniforma të ngjajshme, për ti dalluar ai urdhëroi ushtarët e tij që të vendosnin presh në kapelet e tyre. Nga ajo kohë emblema zyrtare e Wellsit rrethohet nga katër bimë preshi.
Romani me nota të holla ironie dhe humori elegant, të nxit të futesh në botën e analogjive. Duke iu referuar barinjve ai thotë “ E adhurojnë shumë Kryebariun e tyre. Interesohen vazhdimisht për shendetin e tij dhe gëzohen pa masë kur ai del në televizor rreth 16 orë në ditë”(f.24). Lexon këtë dhe si të mos të të vejë mendja te kryebarinjtë tanë të këtyre tridhjete e ca viteve, që nuk I degjojmë dot më dhe na detyrojnë të ndërrojmë kanalin e televizorit, po ku të ndalosh, se kudo, të dalin telenovelat turke, që të kujtojnë “Gjeneral Gramafoni-n”. Të tilla në roman ka pa fund. Siç janë: justifikimi I dështimeve me puçet dhe komplotet e dikurshme, si në rastin e rënies së brirëve, rasti kur avionët e drogës në Shqipëri janë konsideruar mushkonja, e të tjera. Po kështu, fjalët e ambasadorit Albert Luigji (f. 40) te bien ndërmend disa nga diplomatët e huaj në Tiranë, të cilët edhe pse përfaqësojnë vende te ndryshme dhe here pas here ndërrohen si gurët kilometrikë, jo rrallë, deklarojnë gjëra që as vetë nuk i besojnë.
Në shkrimin e këtij romani, Marashi ka përdorur mjeshtërisht disa nga përvojat dhe talentet e tij më të mira, si njohja e thelle deri në kapilaritet e jetës në fshat dhe e bujqësisë. Përveç përshkrimeve origjinale të ambienteve rurale, në roman, ai futet edhe në botën e brendëshme të fshatarit kur thotë; “…dy zetoristët buzëqeshën dhe panë nga bariu I shërbimeve inteligjente me të njëjten ndjenjë kënaqësie që fshatari shikon një mullar, të cilin sapo e ka ngritur me duart e veta (f.133).
Duke shfrytëzuar përvojën e tij si gazetar televiziv, ka shumë skena që I vendos suksesëshëm, plot ironi e humor në studiot televizive apo në konferenca shtypi.
Marashi është një poet i talentuar modern Kur kam lexuar vëllimin e tij me vjersha “Fjongo në qiell”, jam mahnitur nga vargjet e tij të ngjeshura, plot elegance, sentiment, brishtësi dhe nostalgji. Pikërisht këtë talent të spikatur, Marashi e ka integruar në romanin “Brirët”. Me poezi të shumta dhe të bukura, Marashi ilustron dhe u jep domethënie ngjarjeve dhe skenave të shumta të romanit. Marashi shkëlqen veçnërisht me disa vjersha ku ka përdorur dialektin gegërisht. Me ato Marashi të kujton vargjet e bukura plot ritëm e rimë te Fishtës së madh. Poezitë e tij e përshkojnë romanin nga fillimi në fund, tamam si një kolonë zanore filmi.
Romani karakterizohet nga një nomenklature e pasur me emra të shumtë domethënës, me një gjeografi gjeneralizuese. Kujtoj ketu Babzilandin dhe Ibretistanin që stigmatizojnë korrupsionin, gjendjen e keqe dhe anarshinë, Urtmileti, emër I heroit kombëtar të Babzilandit që simbolizon urtësinë popullore, emrin e kryeqytetit Tirrvol (dmth tirr lesh) që të kujton njerëzit që flasin shumë, apo tjerrin fjale siç thotë populli korr e mos lidh. E shumë të tjera.
Libri është plot me surpriza të këndëshme, të cilat krahas ndjenjës së kënaqësisë shpirtërore dhe intelektuale, të fton të meditosh e të kontriubosh me më shumë realizem e pozitivitet. Por unë do të ndalem këtu.
Faleminderit Marash, për kënaqësinë që na ke dhënë me këtë roman, brilant.
Uroj të vazhdosh të jesh një shkrimtar prodhimtar dhe I dashur për lexuesin.
________________________
Tiranë, më 8 Nëntor 2024