“Parada e Shqiptarëve” më 28 nëntor në Tiranë, komuna e Ferizajt i bashkohet festës së madhe të pavarësisë
Komuna e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë më 28 nëntor.
Komuna e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë më 28 nëntor.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili ka publikuar edhe videomesazhin e homologut të tij nga Ferizaj, Agim Aliu.
Veliaj shprehet se në 112-vjetorin e pavarësisë, Bashkia Tiranë dhe Unioni i Bashkive Shqiptare sjellin për herë të dytë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” paradën e shqiptarëve.
“Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen ‘Paradës së Shqiptarëve’ më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tirana mirëpret miqtë tanë nga Komuna e Ferizajt për të kremtuar së bashku 112 vite pavarësi dhe krenari kombëtare! Bashkia Tiranë dhe Unioni i Bashkive Shqiptare, me mbështetjen e Shoqatës “Rrënjët Shqiptare”, sjellin për të dytin vit “Paradën e Shqiptarëve”, shkruan Veliaj.
Në mesazhin e tij, Aliu thekson se më 28 nëntor Tirana është emocion, krenari, lavdi e festë e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, dhe bën thirrje për të gjithë bashkëkombasit që të bashkohen në paradë.
“Tirana e 28 nëntorit është emocion, krenari, lavdi e festë e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët. Tirana më 28 nëntor, mirëpret bashkëkombasit me paradën e rrënjëve kuqezi, në ngjarjen më të madhe të shqiptarëve dhe me grupet kulturore, sportive e rinore që do të mbushin sheshet e Tiranës. Bashkë festojmë në Tiranë ditën e pavarësisë. Ejani edhe ju. Gëzuar”, shprehet ai.