“E dashur Raimonda!”
“Kam pak ditë që kam mbaruar romanin tënd “Shëmtia”, romani yt i gjashtë…”
Nga Violeta Kongo
E dashur Raimonda,
Kam pak ditë që kam mbaruar romanin tënd “Shëmtia”, romani yt i gjashtë.
E theksoj “i gjashtë” sepse, siç nuk më ka ndodhur zakonisht me ndonjë tjetër shkrimtar, këto romane i kam lexuar në një hark kohor relativisht të shkurtër, në harkun e rreth pesë vjetëve. Ca për fajin tim që nuk kisha informacion për dy romanet e para, (“Epitafi i fundit” dhe “Butonat prej platini”), dhe ca për “fajin” tënd që në këto vitet e fundit ke një muzë dhe nerv krijues për t’u patur zili, duke botuar romanet e tua të suksesshme, “Shtatë shpirtrat e Terezës”, “Koha në mes” dhe “Zoti qeshi deri në fund”. Kështu që formësimi i mendimit tim për letërsinë tënde nuk ka nevojë t’i thërrasë kujtesës për të kaluarën e krijimtarisë sate, pasi i kam të freskëta gjasat, personazhet, qëndrimin tënd vlerësues mbi proceset dhe dukuritë historike, sociale e psikologjike të shoqërisë sonë.
Thënë këtë, jam e bindur se pasuria jetësore që sjell në të gjitha romanet e tua, me figurat, tipat dhe karakteret, me analizat dhe qasjet socio-psikologjike me bëma dhe personazhe mjaft të shumtë e të larmishëm, dëshmon për një ndërthurje të admirueshme të talentit me pjekurinë profesionale dhe artistike që posedon tashmë si një shkrimtare e vendit tënd.
Tek lexoja “Shëmtia”-n, keqardhesha, rebelohesha, strukesha e nuk ndihesha, vdisja e ngjallesha, bija në ëndërr e zgjohesha për t’u përpëlitur në zhgjendër bashkë më Kadrijen, një Hirushe kjo e adoptuar, por që jo si në përrallë, nuk është princi që i gjen këpucën. Inteligjenca, vullneti, shpirti i bukur, mirësia, të gjitha bashkë formojnë këpucën më të veçantë të rrugëtimit të saj. Është ky rrugëtim që i dhuron Kadrijes sharmin unik të një njeriu të bukur në gjithë qënien e tij.
Ti Monda, si jetëshkruesja e saj, e ke pajisur personazhin tënd me virtyte të bukura dhe të përkora, dhe mëton të japësh mesazhin se sprovat para të cilave vihet njeriu në kohën tonë për të zgjedhur mes inteligjencës apo bukurisë fizike, janë ulëritëse, pasi peshorja po anon tek e dyta, Tek e dyta që vajin e fitilit e ka me “kët” dhe ky “kët” nuk e siguron gjatë ndriçimin.
Me këtë roman, ti Monda thekson artistikisht bukur se sa e rëndësishme është të ndërlidhësh atë që është personale, me atë që është e përgjithshme, thekson se sa e rëndësishme është të dish t’i japësh vlerë gjërave të vogla në një raport të drejtë me ato të mëdha, mëton të rrëfesh se ç’është ashpërsia, ironia, trishtimi, zemërgjerësia, humori, humanizmi…
Mbi të gjitha, ti e rrëfen bukur udhën ku mund të gjendet streha e Dashurisë, streha nga ku buron edhe forca e saj…
Suksese, e dashur shkrimtare!