APEC, Kina dhe Xi Jinping në Amerikën Jugore

Kina i kushton rëndësi të madhe APEC-ut dhe ka marrë pjesë aktive në seancat e saj.


Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore ekzekutive e Institutit te Studimeve të Globalizimit

Bashkëpunimi Ekonomik i Azi-Paqësorit (APEC) është bërë një forum thelbësor për bashkëpunimin e gjithanshëm të dhjetëra shteteve që preken nga oqeani Paqësor. Që nga themelimi i tij në vitin 1989, APEC-u ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmirësimin e tregtisë rajonale dhe promovimin e liberalizimit të investimeve. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, APEC-u dallohet për përkushtimin ndaj uljes së barrierave tregtare dhe investimeve, duke i mundësuar ekonomive anëtare të integrohen më efektivisht në tregjet globale.


Foto nga VCG

Rëndësia e APEC-ut qëndron në aftësinë e tij për të bashkuar ekonomi të ndryshme—nga vendet në zhvillim deri te disa nga ekonomitë më të mëdha në botë, si Kina, Shtetet e Bashkuara, Australia, Japonia, etj. Ky përfaqësim i larmishëm i lejon APEC-ut të trajtojë një gamë të gjerë sfidash, nga inovacioni dhe transformimi digjital, deri te ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmëria e zinxhirëve të furnizimit. Natyra jo-detyruese e forumit inkurajon bashkëpunimin vullnetar, duke u mundësuar anëtarëve të aplikojnë zgjidhje të përshtatura sipas konteksteve të tyre ekonomike. Përqendrimi i forumit te bashkëpunimi ekonomik dhe teknik, ndërtimi i kapaciteteve dhe dialogu politik, e ka bërë APEC-un një gur themeli të integrimit ndërkontinental.

Samiti i Peru-së

Në kontekstin aktual gjeopolitik rëndësia e APEC-ut është rritur në periudhën e pasigurisë globale, përfshirë luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe tensionet tregtare. Kjo platformë ofron mundësinë që vendet anëtare të bashkëpunojnë për qëllime të përbashkëta, edhe pse mes konkurrencës gjeopolitike më të gjerë. Ky bashkëpunim thekson rolin e APEC-ut në inkurajimin e dialogut dhe trajtimin e sfidave globale të ndërlikuara si qëndrueshmëria e zinxhirëve të furnizimit, tregtia digjitale dhe qëndrueshmëria mjedisore.

Integrim apo polarizim, cilën rrugë të ndjekim? Kjo është pyetja që pritet të dominojë takimin me liderët dhe zyrtarët e lartë të APEC-ut. Rajoni ka qenë gjithmonë një motor i rritjes ekonomike globale dhe një nxitës i tregtisë së lirë, por pyetja e madhe tani është: me zgjedhjen e Donald Trump, çfarë mund të presim më tej?

Samiti i APEC-ut Peru 2024 me temë “Fuqizim, Përfshirje, Rritje”, shënon një debutim në skenën ndërkombëtare për disa liderë të sapoemëruar. Në veçanti, është takimi i parë i APEC-ut për Kryeministrin e Zelandës së Re, Christopher Luxon, i cili mori detyrën më 27 nëntor 2023; Kryeministrin e Singaporit, Lawrence Wong, që është në detyrë që nga 15 maji 2024; Kryeministren e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, e cila mori detyrën më 16 gusht; Presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum dhe Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, të cilët të dy filluan mandatet e tyre më 1 tetor; Presidentin e Indonezisë, Prabowo Subianto, i inauguruar më 20 tetor; dhe Presidentin e Vietnamit, Luong Cuong, që mori detyrën më 21 tetor. Presidenti i Filipineve, Bongbong Marcos, nga ana tjetër, zgjodhi të mos merrte pjesë, duke cituar nevojën për t’u fokusuar në sfidat e brendshme, veçanërisht në përgjigjen e qeverisë ndaj cikloneve tropikale të fundit. Në vend të tij, Marcos emëroi Cristina Aldeguer-Roque, Sekretaren e përkohshme të Tregtisë dhe Industrisë të Filipineve, për të përfaqësuar Filipinet në këtë samit.


Foto nga VCG

Nga qasja ekonomike objektivi kryesor i samitit është të eksplorohet mënyra sesi më shumë njerëz në rajonin e Azisë dhe Paqësorit mund të përfitojnë nga ekonomia moderne. Kjo përfshin adresimin e ekonomisë joformale, dhe gjetjen e mënyrave për ta integruar këtë ekonomi në sistemin e rregullt përmes digjitalizimit. Përdorimi i platformave digjitale dhe teknologjisë është thelbësor për këtë qëllim, siç shihet në vende të ndryshme, ku sistemet e pagesave digjitale përdoren edhe në sektorë joformalë si tregjet lokale.

Një tjetër temë kryesore është rritja e qëndrueshme, me theks në vazhdueshmërinë e politikave ekonomike që funksionojnë mirë. Samiti synon të eksplorojë se si mund të ndërtohen modele ekonomike që mund të përballojnë sfida si ndryshimet klimatike, fatkeqësitë natyrore, pasiguria gjeopolitike dhe luhatjet në çmimet e lëndëve të para. Fokusimi është në krijimin e mekanizmave rritës që janë të fortë dhe të adaptueshëm ndaj krizave, në vend që të reagojmë pas ndodhisë së tyre.

Shtetet anëtare që përfaqësojnë rreth 40% të popullsisë botërore dhe 60% të PBB-së globale, shërben si një platformë kyçe për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të reduktuar ndikimet negative të konflikteve globale në stabilitetin rajonal.

Kina dhe APEC-u

Kina i kushton rëndësi të madhe APEC-ut dhe ka marrë pjesë aktive në seancat e saj. Duke qenë se ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e zhvillimit ekonomik të Azi-Paqësorit dhe koordinimin e interesave ekonomike të anëtarëve të tij, nga Kina analizohet se APEC-u duhet të vazhdojë t’i japë përparësi bashkëpunimit ekonomik dhe të ndjekë një model bashkëpunimi të përshtatshëm me kushtet në Azi-Paqësor. Ndërkohë që përforcon liberalizimin në tregti dhe investime, APEC-u duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe teknik në mënyrë që të gjithë anëtarët të përfitojnë nga ky bashkëpunim.

Që nga anëtarësimi i saj në forum në vitin 1991, Kina ka luajtur një rol kyç në formësimin e qëllimeve dhe drejtimit të ardhshëm të APEC-ut. Hyrja e Kinës në APEC ndodhi pak kohë pasi vendi filloi procesin e reformës ekonomike nën udhëheqjen e Deng Xiaoping. Pas hapjes ekonomike të viteve 1980, Kina kërkoi të integrohej plotësisht në sistemin global të ekonomisë. APEC-u ishte një platformë e rëndësishme për Kinën për të bashkëpunuar me fqinjët e saj rajonalë dhe për të mbështetur kalimin nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi më të orientuar nga tregu. Përmes pranimit në APEC, Kina mundi të përfitonte nga rrjetet ekonomike në rajon, por duke ofruar gjithashtu tregun e saj të madh si mundësi gjigande për investime dhe tregti për vendet e tjera.


Presidenti kinez Xi Jinping me homologen peruane Dina Boluarte shpallin funksionimin zyrtar të portit Çankai të ndërtuar nga kompanitë kineze/Xinhua

Angazhimi i Kinës në APEC përkoi me një periudhë të rritjes së shpejtë ekonomike dhe si ekonomia e dytë më e madhe në botë sot, Kina ka transformuar rajonin e Azi-Paqësorit dhe ka ripërcaktuar prioritetet e APEC-ut. Reformat ekonomike të Kinës, të cilat përfshinin uljen e barrierave të tregtisë, hapjen e tregjeve për investime të huaja dhe kalimin gradual nga industrinë e kontrolluar nga shteti në sipërmarrje private, ishin në përputhje me objektivat e APEC-ut. Kina ka qenë një mbështetëse e tregtisë së lirë brenda APEC-ut.

Në dy dekadat e fundit, Kina është bërë gjithnjë e më prezente në APEC, duke kontribuar jo vetëm si një aktor ekonomik kryesor, por edhe si një udhëheqës në formësimin e drejtimit të ardhshëm të forumit. Një nga temat kryesore të APEC-ut ka qenë promovimi i tregtisë të lirë dhe të hapur, dhe rritja ekonomike e Kinës e ka bërë atë një partner kyç në këtë angazhim. Po ashtu, përkushtimi i Kinës për bashkëpunimin rajonal ka përputhur qëllimet e APEC-ut për të krijuar një rajon të integruar dhe të begatshëm.

Iniciativa e Kinës “Një brez, një rrugë” (BRI), e shpallur në vitin 2013, ka qenë një zgjerim i angazhimit të saj për integrimin rajonal dhe global ekonomik. Edhe pse BRI është një iniciativë e veçantë, ajo plotëson qëllimet e APEC-ut duke përmirësuar infrastrukturën dhe lidhshmërinë në të gjithë rajonin, veçanërisht në ekonomitë në zhvillim. Udhëheqja e Kinës në promovimin e BRI dhe roli i saj në APEC ilustrojnë ndikimin e saj në formësimin e ardhmërisë ekonomike të rajonit. Kjo iniciativë pasqyron vizionin e Kinës për një Azi-Paqësor më të hapur dhe më të lidhur, ku barrierat tregtare janë minimale dhe bashkëpunimi ekonomik është prioritet. Mbështetja e Kinës për APEC-un buron nga besimi që integrimi më i madh ekonomik do të sjellë përfitime për të gjithë dhe do të stabilizojë ekonominë globale.

Xi Jinping në Lima

Presidenti kinez Xi Jinping në ceremoninë e mirëseardhjes së bashku me homologen peruane Dina Boluarte/Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping u largua nga Pekini në datë 13 nëntor për të marrë pjesë në Takimin e 31-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-it në Lima dhe për të bërë një vizitë shtetërore në Peru me ftesë të Presidentes së Republikës së Perusë Dina Ercilia Boluarte Zegarra.

Enturazhi i Xi përfshin Cai Qi, një anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe drejtor i Zyrës së Përgjithshme të Komitetit Qendror të PKK-së, dhe Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Ministri i Jashtëm.

Përshëndetja e ngrohtë e Presidentit të Këshillit të Ministrave të Perusë, Gustavo Lino Adriazén Olaya, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, teksa avioni special i Xi Jinping mbërriti në bazën ajrore Callao në Lima, pasqyronte rëndësinë e vizitës së tij. Rojet e nderit, të rreshtuara në të dy anët e një tapeti të kuq, nderuan presidentin Xi Jinping, duke krijuar një atmosferë solemne.

Në fjalën e tij, Xi Jinping shprehu urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për qeverinë dhe popullin e Perusë, duke theksuar lidhjet e thella miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve. Ai vuri në dukje se miqësia ndërmjet Kinës dhe Perusë ka një histori të pasur dhe të rrënjosur thellë në zemrat e popujve, duke e cilësuar Perunë si një nga vendet pioniere të Amerikës Latine që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.

Xi Jinping shprehu besimin se kjo vizitë do të forcojë më tej marrëdhëniet dhe do ta çojë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Peru në nivele të reja, duke hapur rrugën për bashkëpunim më të thellë në fusha të ndryshme. Ai gjithashtu theksoi pritshmërinë e tij për në Takimin e 31-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, ku do të punojë me palët e tjera për të kontribuar në krijimin e një ekonomie të hapur të Azi-Paqësorit, promovimin e rritjes ekonomike globale. Presidenti kinez bëri thirrje që të fuqizohet zhvillimi i përbashkët i ekonomive të Paqësorit, duke përfshirë Kinën dhe Perunë, të arrihen përfitime të ndërsjella dhe një situatë e favorshme në një hapësirë më të gjerë, dhe t’u jepet njerëzve një ndjenjë përmbushjeje dhe arritjeje.

Më 15 nëntor, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, mbajti një fjalim në Samitin e Liderëve të APEC-ut në Lima, duke theksuar se globalizimi ekonomik është thelbësor për zhvillimin global dhe rajoni i Azi-Paqësorit ka një rol kyç në këtë proces. Ai nënvizoi se vendet e këtij rajoni janë bërë një komunitet i ndërvarur, ku përparimi i njërit ndikon tek të gjithë.

Në një botë që po përjeton turbullira dhe ndryshime të mëdha, Xi Jinping paralajmëroi se globalizimi po përballet me sfida serioze dhe kërkoi veprime të guximshme për të avancuar. Ai bëri thirrje për një globalizim më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm, që përfiton nga arritjet teknologjike për të rritur prosperitetin global.

Xi theksoi disa prioritete kryesore: së pari, të promovohet inovacioni si motor i rritjes ekonomike botërore dhe të sigurohet që përfitimet teknologjike të jenë në dobi të të gjithëve. Së dyti, të reformohet qeverisja ekonomike globale, duke i dhënë më shumë zë vendeve të Jugut global dhe duke siguruar barazi në mundësi dhe rregulla për të gjitha shtetet. E treta, të këmbëngulet në vendosjen e njerëzve në radhë të parë dhe të nxitet zgjidhja e problemit të zhvillimit të çekuilibruar. Prosperiteti dhe stabiliteti botëror, nuk mund të bazohen në teorinë që të varfërit të varfërohen dhe të pasurit të pasurohen. Ai theksoi nevojën për një sistem ekonomik botëror të hapur dhe stabilitetin e zinxhirëve globalë të furnizimit.

Në një botë ku pabarazitë dhe sfidat globale po bëhen gjithnjë e më të theksuara, Presidenti kinez Xi Jinping dërgon një mesazh të fuqishëm: globalizimi nuk mund të përparojë nëse njerëzit mbeten pas. Prosperiteti botëror duhet të jetë gjithëpërfshirës, ku secili shtet, grup dhe individ ndan frytet e zhvillimit.

Ndërsa vendet e tjera përballen me sfida të brendshme, Kina e shfaq veten si forcën e qëndrueshme që mund të çojë botën drejt një të ardhmeje më të barabartë për të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar.

Kina është e vendosur të drejtojë një globalizim më të drejtë dhe të qëndrueshëm. Me besim të plotë në fuqinë e saj ekonomike, Kina po ndërton një sistem të ri të hapur ekonomik, ndërkohë që vazhdon të luajë rol kyç në transformimin global dhe përmirësimin e zinxhirëve të furnizimit. Xi Jinping bën thirrje për bashkim global për të përballuar sfidat e përbashkëta, duke krijuar një të ardhme të ndritshme për të gjithë njerëzimin. Tani është koha për veprim – për një botë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë.

Vizioni i Xi Jinping për një Epokë të Re të Bashkëpunimit në Azi-Paqësor: Tregti e Hapur, Inovacion i Gjelbër dhe Solidaritet


Liderë pjesëmarrës në Takimin e 31-të Jozyrtar të Udhëheqësve të APEK-ut,16 nëntor 2024, Lima, Peru/Xinhua

Në Takimin e 31-të të Liderëve Ekonomikë të APEC, Presidenti Xi Jinping mbajti një fjalim që përcaktoi tonin për një kapitull të ri të bashkëpunimit në Azi-Paqësor, duke bërë thirrje për një kornizë të hapur dhe të ndërlidhur që promovon integrimin ekonomik rajonal. Fjalimi i tij ishte një përgjigje ndaj sfidave të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, por gjithashtu një plan i orientuar drejt së ardhmes që synon të nxisë zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin global.

Xi përcaktoi disa objektiva kryesore për përparimin e mirëqenies, duke filluar me thirrjen për të “shembur muret” që aktualisht pengojnë qarkullimin e lirë të tregtisë, investimeve, teknologjisë dhe shërbimeve. Ai theksoi nevojën që vendet të punojnë së bashku për të adresuar tensionet gjeopolitike, unilateralizmin dhe proteksionizmin — forca që kërcënojnë të fragmentojnë dhe të prishin zinxhirët globalë të furnizimit. Xi e përshkroi këtë moment si një “kryqëzim historik”.

Sipas Xi, përmes forcimit të bashkëpunimit, ekonomitë e Azi-Paqësorit mund të ndihmojnë në udhëheqjen drejt një ekonomie globale më të hapur dhe më elastike.

Një element tjetër thelbësor i vizionit të Xi është roli i inovacionit të gjelbër në formësimin e së ardhmes së rajonit të Azi-Paqësorit e jo vetëm. Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje për ta bërë teknologjinë e gjelbër një katalizator për zhvillimin, duke theksuar nevojën për një rritje të qëndrueshme që balancon përparimin ekonomik me ruajtjen ekologjike. Thirrja e Xi pasqyron përkushtimin më të gjerë të Kinës ndaj përgjegjësisë mjedisore, duke u përputhur me objektivat e saj ambicioze për neutralitetin e karbonit dhe udhëheqjen e saj në teknologjitë e gjelbra, si energjia e rinovueshme dhe automjetet elektrike. Për Xi, inovacioni i gjelbër nuk është thjesht një imperativ mjedisor, por një nxitës kyç i suksesit të ardhshëm ekonomik global.


Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim të rastit në Takimin e 31-të Jozyrtar të Udhëheqësve të APEK-ut,16 nëntor 2024, Lima, Peru/Xinhua

Xi gjithashtu shpalosi përkushtimin afatgjatë të Kinës ndaj reformës dhe hapjes, duke e pozicionuar zhvillimin e vendit si një burim i mundësive të reja për rajonin e Azi-Paqësorit dhe botën. Ai vuri në dukje se rritja e Kinës është e pandashme nga zhvillimi i vendeve të tjera dhe, ndërsa Kina vazhdon në rrugën e përparimit, ajo do të krijojë mundësi të reja për fqinjët e saj që të përfitojnë nga ky sukses. Në veçanti, ai vendosi theksin në zhvillimin e partneriteteve me vendet e Jugut Global, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe përfitimit të ndërsjellë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tema mbizotëruese e fjalimit të Xi ishte ajo e solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Ai bëri thirrje që vendet e Azi-Paqësorit të bashkohen përballë sfidave globale, duke theksuar se veprimi kolektiv është thelbësor. Duke thelluar lidhjet, duke hequr barrierat ndaj tregtisë dhe duke përqafuar inovacionin e qëndrueshëm, rajoni mund të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme për të gjithë anëtarët e tij.

Xi tha se zhvillimi i mëtejshëm i Kinës do të sjellë mundësi të reja për rajonin dhe botën në përgjithësi, duke shtuar se Kina mirëpret të gjitha palët që të vazhdojnë të udhëtojnë me “trenin e shpejtë” të zhvillimit të saj dhe të rriten së bashku me ekonominë kineze.

Burimi: CRI.CN

Rruga në Filadelfia merr emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Kjo është rruga e tretë në SHBA që mban emrin e Skënderbeut.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rruga në Filadelfia merr emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Kjo është rruga e tretë në SHBA që mban emrin e Skënderbeut.