Koçiu: Mbështetje planit të koordinuar institucional për sigurinë në shkolla
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve, mbetet prioritet absolut i shoqërisë dhe institucioneve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve, mbetet prioritet absolut i shoqërisë dhe institucioneve.
Koçiu mori pjesë në konferencën e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe UNICEF “Dëgjojmë të Ardhmen”, ku theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe respektimit të çdo të drejte të fëmijëve, si një prioritet absolut për shoqërinë dhe institucionet.
“Dy ditë më parë, humbi tragjikisht jetën një 14-vjeçar, një ngjarje që na tronditi të gjithëve dhe na bëri të reflektojmë se sa urgjente është puna për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të fëmijëve. Ky është një moment për të rritur angazhimin tonë ndaj çdo fëmije që ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje”, u shpreh Koçiu.
Sipas Koçiut, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet fort nismën e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për një Plan Veprimi të koordinuar institucional për sigurinë në shkolla. Vetëm bashkëveprimi i të gjithëve mund të sjellë rezultate të dukshme në drejtim të parandalimit të dhunës, bullizmit, diskriminimit apo stigmatizimit në shkollat tona.
“Përgjegjësia ndaj fëmijëve është detyrim për të gjithë aktorët e shoqërisë, veçanërisht për trinomit mësues, nxënës dhe prindër. Orientimi, bashkëpunimi dhe unifikimi i politikave për një ambient të sigurt në shkolla do të prodhojë më shumë siguri. Ndaj, të bëhemi të gjithë bashkë për një qëllim madhor: mbrojtjen dhe edukimin e brezit të ri. Një apel shkon gjithashtu për aktorët politikë dhe median, që t’i bashkohen këtij plan-veprimi, ta mbështesin dhe përmirësojnë atë me propozime produktive, nëse kanë vullnetin pozitiv për të kontribuar për një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj, larg dhunës”, apeloi Koçiu.
20 Nëntori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve.
Shqipëria e ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1993, duke u angazhuar në këtë mënyrë të përmbushë këto të drejta dhe t’i paraqesë raporte periodike për progresin dhe sfidat Komitetit për të Drejtat e Fëmijës.
(ATSH)