Avokatja e Popullit: Duhet një bashkëpunim i koordinuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose rrezikohen.
Në kuadër të përvjetorit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, mori pjesë sot në seancën dëgjimore të organizuar nga Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.
Ky aktivitet, sipas Avokates së Popullit, shënoi një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi përmbushjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, në linjë me detyrimet që rrjedhin nga Konventa dhe rekomandimet më të fundit të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës.
Në fjalën e saj, Ballanca theksoi domosdoshmërinë e një përqasjeje të koordinuar mes institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.
Avokatja Ballanca e vuri theksin mbi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë të ketë akses të barabartë në arsim, mbrojtje dhe shanse për një të ardhme të sigurt.
Duke rikonfirmuar angazhimin e institucionit të saj, Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose rrezikohen.
(ATSH)