Xhemali: Objektiv, përputhje me legjislacionin e BE-së brenda 2027-ës
Komisioni i Çështjeve Evropiane shqyrtoi sot nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.
Komisioni i Çështjeve Evropiane shqyrtoi sot nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.
E pranishme në Komisionin ishte zv/ministrja e Financave, Adela Xhemali, e cila në përgjigje të pyetjeve të kryetares së Komisionit të Çështjeve Evropiane, Jorida Tabaku u shpreh se, “ushtrimi që është bërë përgjatë punës për buxhetin e 2025-ës, si dhe për periudhën 2025-2027 është reflektimi maksimal i axhendës së reformave dhe Planit të Ri të Rritjes në këtë periudhë afatmesme. Pra në të gjitha tavanet e financimit të huaj janë rritur për të mundësuar akomodimin e të gjitha projekteve që do të bëhen përgjatë kësaj periudhe në Planin e Ri të Rritjes”.
Ndërkohë, shtoi ajo, “nga ana tjetër çdo parashikim paraprak që kanë bërë ministritë e linjës për masat që janë në axhendën e reformave është e përfshirë në buxhet. Dhe për ato masa të cilat nuk janë ende të kuantifikuara është lënë një zë më vete. Pra, ajo që është më pranë buxhetit është Plani i Ri i Rritjes dhe axhenda e reformave e cila është edhe më konkrete. Natyrisht pozicioni negociues bie brenda axhendës së reformave dhe Planit të Ri të Rritjes pasi këto janë punuar dhe janë dakordësuar me BE-në”.
Sa i përket diskutimeve me biznesin, Xhemali tha se, “kanë nisur dhe për çdo kapitull ka tryeza partneriteti. Këto tryeza partneriteti hapen në mënyrë të vazhdueshme nga çdo institucion”.
Xhemali nënvizoi se, objektivi është që mbyllja e hapësirave me legjislacionin e BE-së të mbyllen brenda 2027-ës.
Zv/ministrja theksoi se, “implementimi i Axhendës së Reformave dhe Planit të Ri të Rritjes përgjatë diskutimeve me BE-në pritet që nëse arrijmë në mënyrë të suksesshme të implementojmë të tëra masat dhe Planin e Ri të Rritjes, atëherë rritja ekonomike e Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit do të dyfishohet në dekadën e ardhshme. Pra qëllimi kryesor i Planit të Ri të Rritjes është që mund të përshpejtojë rritjen ekonomike, në mënyrë që të mund të mbyllet hapësira ekonomike që kemi me BE-në”.
Relatori i pr/ligjit, Etjen Xhafaj në fjalën e tij u shpreh se, “është një pr/buxhet i balancuar, pjesë e së cilës është një rritje e ndjeshme si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe në shpenzime.
Ai u shpreh se “buxheti arrin në 8 miliardë euro shpenzime, çka e bën buxhetin më të madh të të gjitha kohërave”.
Sa i përket të ardhurave, Xhafaj theksoi se, “janë 7 miliardë e gjysmë, një rritje domethënëse, e cila duhet theksuar që është bërë pa pasur asnjë ndryshim apo rishikim me një paketë fiskale të veçantë, por duke u fokusuar në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, edhe në kuadër të luftës ndaj informalitetit”.
Sa i përket bonusit për pensionistët, Xhafaj tha se, “150 euro do të përfitojnë pensionistët me të ardhura nën 20 mijë lekë të reja në muaj dhe 100 euro ato që përfitojnë mbi 20 mijë lekë të ardhura në muaj”.
Xhafaj nënvizoi se, “buxheti i investimeve publike shkon në masën 1.6 miliardë euro dhe që është një rritje domethënëse krahasuar me të gjithë vitet e shkuara”.
Ai theksoi se prioritet është edhe përputhja e prioriteteve të buxhetit me ato që janë prioritetet e Planit të Rritjes i kaluar nga BE për Ballkanin Perëndimor”.
Pas diskutimeve Komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi, projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.