Rama shqiptarëve në Londër: Pranverën e ardhshme dua votën tuaj nga ky gadishull
Kryeministri Edi Rama në takimin e tij të radhës me shqiptarët e diasporës, foli sot me bashkatdhetarët në Britaninë e Madhe, ku renditi të gjitha arsyet se pse vota e tyre është e rëndësishme në zgjedhjet e pranverës së ardhshme.
Kryeministri Edi Rama në takimin e tij të radhës me shqiptarët e diasporës, foli sot me bashkatdhetarët në Britaninë e Madhe, ku renditi të gjitha arsyet se pse vota e tyre është e rëndësishme në zgjedhjet e pranverës së ardhshme.
“Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, këtu në Britani! Ju sot, nuk jeni thjesht bashkatdhetarë jashtë atdheut, me të drejtë vote në Shqipëri, por jeni votues që për herë të parë do të mund të merrni pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë duke gëzuar dhe ushtruar të drejtën e votës nga këtu ku jeni. Fare hapur unë ju them, juve dhe gjithë shqiptarëve kudo janë në Britani, se pranverën e ardhshme unë e dua votën tuaj nga ky gadishull, për t’ju bërë të gjithëve edhe më krenarë për Shqipërinë në sytë e botës dhe për ta bërë bashkë me ju Shqipërinë, e këtij vendi, për fëmijët tuaj dhe fëmijët e atyre që ishin aty jashtë sot te dera, të verbuar dhe të keqkuptuar”, tha Rama.
Kryeministri në bashkëbisedimin e tij para shqiptarëve në Londër, solli në vëmendje edhe grupin e protestuesve që ishin mbledhur para derës së stadiumit ku po mbahet takimi, duke i cilësuar ata si persona që duan të nxisin dhunë dhe urrejtje.
“Së bashku me ata pak që ishin futur këtu si diversantë, të cilët nuk janë fajtorë, sepse përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata, për të cilët ju të gjithë së bashku me votë pranverën e ardhshme duhet t’u tregoni se duhet të largohen njëherë e mirë nga oborri i mexhelisit tonë, ku ka vend për të qenë të ndarë në pikëpamje, në ide, në shumë qasje për se si duhet ta bëjmë më të mirën Shqipërinë, por nuk duhet të ketë më vend për të qenë të ndarë në këtë formë ku dasia u shfaq sot me tre mijë veta këtu dhe 30 veta aty jashtë, të cilët nuk ndalonin së shari nën shembullin e atyre që e kanë kthyer parlamentin e Shqipërisë në “sokakun e të marrëve”, që shajnë dhe vetëm predikojnë shkatërrim”, theksoi Kryeministri.
Rama shtoi se kur ai mori detyrën për të qeverisur Shqipërinë, vendi kishte probleme të të gjitha natyrave, nga ato ekonomike, tek investimet apo turizmi.
“Sot, ju nuk jeni nga ata që ishit kur erdhët këtu me emër tjetër, por as Shqipëria nuk është ajo që ishte 11 vjet më parë, kur emri i saj përgojohej dhe përçmohej, kur emri i saj përgojohej dhe përçohej nëpër pasqyrat mediatike të Evropës. Kur unë mora detyrën që ta udhëheq Shqipërinë në mes të detit të paragjykimeve nga bota që ishte mësuar që ta shihte vendin dhe shtetin tonë me përçmim, nuk e gjeje dot për qamet, një shkrim apo një përshkrim pozitiv për vendin tonë në gazetat dhe televizionet e kontinentit. Shqiptarët e botës hasnin në përçmime dhe reagime kur tregonin se nga vinin, ndërsa në sytë e politikës evropiane, Shqipëria ishte një vend i qeverisur keq e mos më keq, i zhytur thellë në kënetën e krimit dhe korrupsionit. Vendi ynë kishte telashe të mëdha financiare, ndërsa qeveria e mbytur në dështime dhe në borxhe. Rrugët e vendit të mbetura rrugëve, bashkë me daullet e inaugurimeve, ishin numëruar si rrugë të reja, sapo ishin prerë shiritat dhe kthyer kurrizin, gjysma e miletit nuk paguante apo vidhte energjinë elektrike, në mungesë të çdo kontrolli nga shteti dhe kolapsi energjetik ishte pas derës. Spitalet – pa ilaçet bazë, pa çarçafë, pa batanije, me mjetet e operimit të kohës shqiptaro-kineze – e kishin bërë Shqipërinë me numrin më të lartë të infeksioneve postoperatore. Korrupsioni, për të cilin po ta vini re flitet sot më shumë se dje, ishte një fakt i pranuar, në çdo takim të qytetarit me shtetin, edhe për të marrë një certifikatë duhej të paguaje ryshfet, apo për çdo copë letër nga shteti duhet të rrije në radhë. Turizmi në Shqipëri mbahej gjallë nga malli i shqiptarëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, qytetet e Shqipërisë, që ju i mbani mend mirë, ishin mbuluar nga pluhuri i harresës së shtetit, ndërsa Tirana, kryeqyteti ynë, kishte ngelur në vend si akrepat e Sahatit mbi kokën e qeveritarëve të paaftë që nxirrinin edhe pushkët ndaj protestuesve në bulevard.
Fshati ishte si mos më keq, kanalet ujitëse dhe kulluese të mbuluara nga ferrat dhe plehrat, më shumë se gjysmat e tokave të bukës ishin djerrë, se nuk shkonte dot uji, pasi s’kishte kanale. Paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare në shtet 370 euro, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar më pak se 10 miliardë euro dhe angazhimi i forcave të punës në punë ishte nën 50%. Siguria në punë ishte përtokë, vrasjet kishin arritur në 115 si mesatare vjetore, ose një në tre ditë, por ishin bërë të zakonshme, si kronika e motit”, tha Rama.
(ATSH)