Rama: Ta udhëheqim Shqipërinë drejt oborrit të Europës së bashkuar
Kryeministri Edi Rama kërkoi sot votën e shqiptarëve të Britanisë së Madhe në zgjedhjet e pranverës 2025, për ta drejtuar Shqipërinë drejt oborrit të Europës së bashkuar.
Kryeministri Edi Rama kërkoi sot votën e shqiptarëve të Britanisë së Madhe në zgjedhjet e pranverës 2025, për ta drejtuar Shqipërinë drejt oborrit të Europës së bashkuar.
Në një takim me shqiptarët në Londër, Rama u ndal te forca e tyre vendimmarrëse përmes votës për drejtimin dhe udhëheqjen e Shqipërisë drejt oborrit të Europës së bashkuar.
“Më në fund edhe flamuri ynë kombëtar duhet dhe do të ngrihet i barabartë mes të barabartëve, si përfaqësi simbolike e shtetit tonë në BE”, tha Rama.
Duke iu drejtuar shqiptarëve të Britanisë së Madhe, Rama tha se ata sot nuk janë thjesht bashkatdhetarë jashtë atdheut me të drejtë vote në Shqipëri, por janë votues që për herë të parë do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë, duke ushtruar të drejtën e votës nga aty ku janë.
“Fare hapur ju them se pranverën e ardhshme unë e dua votën tuaj nga ky gadishull për t’u bërë të gjithëve ju edhe më krenarë për Shqipërinë në sytë e botës, dhe për ta bërë bashkë me ju Shqipërinë edhe më të mirë për çdo shqiptar dhe të gjithë fëmijët e këtij vendi”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shqiptarëve jashtë që me votë të largojnë nga ata që e kanë bërë parlamentin e Shqipërisë “sokakun e të marrëve”.
Rama komentoi edhe personat që e pritën me protesta, ndërsa u shpreh se “nuk mund të ketë më vend për të qenë të ndarë në këtë formë”.
“Ata që ishin sot aty te dera, të verbuar dhe të keqkuptuar, së bashku me ata pak që ishin futur këtu si diversantë, nuk janë fajtorë, sepse përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata që ju të gjithë së bashku me votë pranverën e ardhshme duhet ti tregoni se duhet të largohen njëherë e përgjithmonë nga oborri i mexhelisit tonë, ku ka vend për të qenë të ndarë në pikëpamje, për të qenë të ndarë në ide, në shumë qasje për se si mund ta bëjmë më të mirë Shqipërinë, por nuk mund të ketë më vend për të qenë të ndarë në këtë formë, ku ndasia u shfaq sot me 3 mijë veta këtu dhe 30 veta atje jashtë”, tha Rama.
“Ata nuk ndalonin së shari, nën shembullin e atyre që e kanë bërë parlamentin e Shqipërisë ‘sokakun e të marrëve’, që shajnë e shajnë dhe vetëm predikojnë shkatërrim”, tha ai.
(ATSH)