Rama: Shqiptarët meritojnë vetëm mirënjohje dhe respekt nga Britania e Madhe
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Londra se shqiptarët e Britanisë së Madhe kanë përfituar nga ky vend më pak sesa ka përfituar ky vend nga ata.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Londra se shqiptarët e Britanisë së Madhe kanë përfituar nga ky vend më pak sesa ka përfituar ky vend nga ata.
Gjatë takimit me shqiptarët në Londër, Rama u shpreh se kjo nuk është retorikë, por është një e vërtetë që vlen për të gjithë shqiptarët e Europës, që sot janë krenaria kombëtare e një Shqipërie që më në fund ka nisur t’i bëjë edhe ata krenarë në sytë e Europës.
“Ju e bëni krenarë Shqipërinë me sukseset tuaja në art, shkencë, biznes, këtu dhe kudo në botën e lirë. Realiteti i shqiptarëve të Britanisë është që punojnë në spital, në ndërtim, në bujqësi, biznese, lokale të hapura nga ata vetë pas vitesh të tëra rropatje dhe kursime. Punojnë në universitete, shquhen në katedra akademike, shquhen në botën e artit dhe të modës”, tha Rama.
Si në qytete, dhe në fshatra, Rama tha se shqiptarët janë kudo dhe meritojnë vetëm mirënjohje nga ky vend.
“Ne së bashku do të kërkojmë nga ky dhe nga çdo vend vetëm respekt për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë. Ju përballuat sfida të rënda, por sot jeni më të fortë se kurrë më parë. Edhe Shqipëria ka përballuar sfida të rënda, por sot është përditë e më e fortë se një ditë më parë. Ama, sot ju shqiptarët e botës së lirë, tanimë shumica prej jush, ka dalë në dritë dhe e ka lënë pas hijen e të kaluarës së paragjykimeve dhe ndalimeve, e cila është vetëm një mësim historie, mund dhe duhet ti jepni Shqipërisë diçka më shumë”, tha Rama.
(ATSH)