Çelet kompleksi rinor në Malësi të Madhe, Muzhaqi: Përfitojnë 1200 të rinj
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi bëri me dije se është inauguruar kompleksi rinor “Syri i Sheganit” në Malësinë e Madhe
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi bëri me dije se është inauguruar kompleksi rinor “Syri i Sheganit” në Malësinë e Madhe. Ky investim është një mundësi e mirë për 1200 të rinj, studentë dhe nxënës që duan të përfshihen në një mjedis social në komunitetin e tyre.
“Falë këtij investimi, mbështetur nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Rinisë, do të përfitojnë mbi 1200 të rinj nga e gjithë zona, nxënës dhe studentë, duke iu ofruar një mjedis social të qëndrueshëm dhe kushte bashkëkohore për zhvillimin e tyre. Projekti synon fuqizimin e të rinjve, nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën e komunitetit lokal, për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë një të ardhme më të mirë dhe të ndryshojnë pozitivisht jetën e tyre. Mbetemi plotësisht të angazhuar për të zhvilluar më tepër projekte në mbështetje për ju, të rinjtë, duke krijuar standarde të barabarta për të gjithë, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale”, thotë Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja është shprehur më parë se buxheti për rininë është 54% më i lartë këtë vit, krahasuar me gjithë të tjerët pararendës. Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë planifikuar 333 milionë lekë, të cilat do të shkojnë në mbështetje të drejtpërdrejtë për të rinjtë, krahas dhe investimeve të tjera indirekte për rininë. Rritja e mbështetjes buxhetore për rininë për vitin 2025 vjen në kuadër të punës së konsiderueshme të zhvilluar gjatë këtyre viteve me qëllim fuqizimin e politikave rinore, duke filluar që me hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë, por edhe ristrukturimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë me qëllim fuqizimin e rolit të kësaj të fundit në kuadër të mbështetjes së të rinjve në të gjithë Shqipërinë.
Burimi: ATSH