Projekti me BB, Denaj: Rrisim standardet e eksportit dhe marketingut të vajit të ullirit
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me misionin e Bankës Botërore ku u diskutua mbi projektin “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimit të Bujqësisë”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me misionin e Bankës Botërore ku u diskutua mbi projektin “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimit të Bujqësisë”.
Ministrja bëri të ditur se projekti kap një vlerë rreth 65 milionë euro dhe synon përmirësimin dhe modernizimin e sistemeve të ujitje-kullimit.
Po ashtu, Denaj theksoi se përmes këtij financimi do të krijohen “Clusteret” për vaj ulliri dhe fruta-perime për të rritur standardet e eksportit dhe marketingut të vajit të ullirit si një produkt “Premium”.
“Projekti synon krijimin e qendrave ushqimore për grumbullimin, përpunimin, paketimin dhe shpërndarjen e produkteve bujqësore për tregje si ‘HoReCa’, si dhe dixhitalizimin e bujqësisë për përmirësimin e prodhimit bujqësor”, u shpreh Denaj.
Po ashtu, ministrja theksoi se përmes këtij projekti synohet rritja e sigurisë ushqimore, si dhe modernizimi i pikave të kontrollit kufitar.
Denaj nënvizoi gjithashtu se ky projekt kontribuon drejt bujqësisë së qëndrueshme dhe moderne, duke rritur produktivitetin, cilësinë dhe konkurrueshmërinë e prodhimeve “Made in Albania”.