Dita e Pavarësisë, Vengu: Trupat elitare të FA-së dëshmojnë aftësitë në Gjirin e Vlorës
Forcat e Armatosura përshëndetën sot 112-vjetorin e Pavarësisë në qytetin e flamurit
Forcat e Armatosura përshëndetën sot 112-vjetorin e Pavarësisë në qytetin e flamurit, aty ku helikopterët e Forcës Ajrore, anijet e Forcës Detare dhe trupat e Regjimentit të Operacioneve Speciale ofruan spektakël duke valëvitur flamurin kombëtar në qiellin e Vlorës.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky demonstrim, i cili u ndoq nga mijëra qytetarë.
Në Gjirin e Vlorës u demonstruan aftësitë dhe kapacitetet e trupave elitarë të Forcave të Armatosura.
“Mijëra qytetarë të mbledhur në Sheshin e Flamurit, por edhe ata nga Lungomare, deri në Orikum, dëshmuan aftësitë dhe kapacitetet e trupave elitarë të Forcave tona të Armatosura, të cilët demonstruan në Gjirin e Vlorës edhe një operacion për marrjen nën kontroll të një anijeje të dyshuar, duke ndërhyrë nga deti me grupet e bordingut dhe ajri me trupat specialë dhe helikopterët Cougar e Black Hawk. Një ditë feste në qytetin e Pavarësisë”, u shpreh Vengu
(ATSH)