Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Administratës Publike
Shqipëria është pranuar si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Administratës Publike (EUPAN), gjatë takimit të zhvilluar në Budapest, Hungari.
Shqipëria është pranuar si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Administratës Publike (EUPAN), gjatë takimit të zhvilluar në Budapest, Hungari.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila vlerësoi se ky hap e afron administratën shqiptare me administratat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Pirdeni theksoi se kjo do të shpejtojë akoma më shumë ritmin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Në Rrjetin Evropian të Administratës Publike, ku Shqipëria sapo u pranua zyrtarisht si Vëzhguese, për të afruar edhe më tej administratën tonë me administratat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe për të shpejtuar akoma më shumë ritmin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh ministrja Pirdeni.
Pirdeni ndodhet në Budapest ku ditën e djeshme nënshkroi me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, Planin e Veprimit për trajnimin e nëpunësve të institucioneve shqiptare në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo vizitë mbahet në javët e fundit të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila, pas hapjes së negociatave për grup-kapitullin I “Themeloret” në tetor, vetëm pak ditë më parë njoftoi dritën e gjelbër për hapjen e negociatave edhe për grup-kapitullin VI, që ka në fokus Marrëdhëniet e Jashtme.
(ATSH)