Karta e Adriatikut, Wallander: Vizioni i SHBA-së është për paqe dhe stabilitet
Ndihmëssekretarja amerikane e Mbrojtjes, Celeste Wallander nënvizoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve që janë pjesë e Kartës së Adriatikut.
Ndihmëssekretarja amerikane e Mbrojtjes, Celeste Wallander nënvizoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve që janë pjesë e Kartës së Adriatikut.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatiku (A-5) u mblodhën në Tiranë, për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që shtrohen në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Wallander u shpreh falënderuese për punën e bërë në këtë fushë vitet e fundit, duke shtuar se të qenurit anëtare e NATO-s është një nga principet e mëdha të Kartës së Adriatikut.
“Dua të shpreh falënderimin e thellë për punën e bërë vitet e fundit ku ka pasur rezultate të ndjeshme në sfidat tona të mëdha”, theksoi ajo.
“Ne nuk jemi thjesht partnerë të ngushtë, por edhe miq. Vizioni i SHBA-së është sigurisht për paqe dhe stabilitet. Diskutimi i sotëm shkoi në zemër të këtyre ideve dhe tek ndërhyrja e ashpër e Rusisë në Ukrainë. Kemi hedhur baza të mira për atë që do të bëjmë në vitin 2025. Gjithçka vlen nga veprimet, jo nga fjalët që ne themi”, deklaroi ajo.
Me përfundimin e këtij ministeriali, mbyllet edhe angazhimi i vendit tonë për këtë vit sa i përket kësaj iniciative.
Gjatë viti 2024 Shqipëria mirëpriti një sërë eventesh të nivelit të lartë politiko-ushtarak në kuadër të Balkans CHODs, SEDM dhe pikërisht SHBA – A-5, duke u kthyer në një pol për bashkëpunimin rajonal në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Ambasada e SHBA në një postim në rrjetet sociale, duke ndarë foto nga takimi i zhvilluar sot në Tiranë thekson se, takimi u fokusua në përparimin e prioriteteve të përbashkëta për sigurinë globale dhe rajonale.
“Zonja Wallander theksoi rëndësinë e bashkëpunimit sipas Kartës A5 të Adriatikut dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për kombet që aspirojnë anëtarësimin në NATO dhe politikën e dyerve të hapura të NATO-s.
“Ne jemi krenarë për lidhjen që ndajmë brenda Kartës SHBA-Adriatik. Ne nuk jemi vetëm partnerë të afërt; ne jemi gjithashtu miq, të bashkuar në një vizion për një Ballkan Perëndimor paqësor dhe të qëndrueshëm që u përmbahet parimeve të lirisë, ligjit dhe vlerave demokratike”
Zonja Wallander ripohoi mbështetjen e SHBA për t’i dhënë fund pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, ndërsa njerëzit e saj luftojnë për të ardhmen e tyre.”, shkruan Ambasada e SHBA në rrjetet sociale.