Gonxhja me ambasadorin turk, në fokus bashkëpunimi për restaurimin e xhamisë së Muradies në Vlorë
Ministri i MEKI takon ambasadorin turk në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay: Thellim i marrëdhënieve strategjike
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, takoi sot ambasadorin turk në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve e veçanërisht në fushën e kulturës, ku me prioritet u diskutua për bashkëpunimin për restaurimin e xhamisë së Muradies në Vlorë, e dëmtuar nga përmbytjet.
Xhamia shekullore e Muradies, sipas një mbishkrimi që ka qenë i vendosur në hyrje, është ndërtuar në vitin 1542 me urdhërin e Sulltan Sulejmanit. Ajo ndodhet në zemër të qytetit të Vlorës, pranë Sheshit te Flamurit. Nga aspekti arkitektonik xhamia e Muradies përfaqëson një nga shembujt më të rëndësishëm të arkitekturës osmane në qytetin e Vlorës dhe jo vetëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Gonxhja tha se nëpërmjet projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimeve të suksesshme, synohet të krijohen mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe thellim të marrëdhënieve strategjike.