Koçiu: Bashkëpunim me Bankën Botërore për investime në disa spitale
Këto investime do të prekin Spitalin Rajonal të Lezhës; Spitalin Bashkiak të Krujës; Spitalin e Kardiokirurgjisë dhe Spitalin e Psikiatrisë në QSUT.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu është takuar sot me menaxheren e Sektorit të Shëndetësisë për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, Rekha Menon, me të cilën u disktua progresi për projektin “Përmirësim i Sistemit të Shëndetësisë”.
Koçiu dhe Menon u përqendruan në diskutimet për realizimin e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë në dy spitale rajonale dhe dy në Tiranë.
Sipas ministres së MSHMS, këto investime do të prekin Spitalin Rajonal të Lezhës; Spitalin Bashkiak të Krujës; Spitalin e Kardiokirurgjisë dhe Spitalin e Psikiatrisë në QSUT.
“Bashkëpunimi ynë me Bankën Botërore mbështet punën tonë drejt realizimit të objektivave të Mbulimit Universal Shëndetësor, duke kontribuar në krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës dhe të fokusuar tek nevojat e pacientëve”, tha Koçiu në një postim në Facebook.
(ATSH)