Draftligji për bashkëpronësinë, Mazniku: Garanton trajtimin e pronës sipas standardeve evropiane
Ligji detyron çdo pronë që ka më shumë se 4 apo 5 njësi bashkëpronësie të ketë një administrator të regjistruar pranë njësive respektive.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku është konsultuar sot në një tryezë me një grup ndërtuesish në vend, ku ka diskutuar risitë mbi draftligjin për bashkëpronësinë, i cili sipas ministrit, garanton trajtimin e pronës së përbashkët bazuar në praktikat më të mira të vendeve të BE-së.
Ministri Mazniku deklaroi se ky ligj i ri forcon rolin e bashkive dhe administratorëve në hapësirat e përbashkëta.
“Ndryshimet e propozuara synojnë të çojnë në një nivel të ri administrimin e hapësirave e pronave të përbashkëta, për një bashkëjetesë komunitare cilësore dhe të standardeve më të larta europiane”, tha ai.
Në një intervistë për mediet, disa ditë më parë, Mazniku u shpreh se deri tani është punuar me bazën ligjore të vitit 1998, që nuk përputhet me situatën aktuale të vendit. “Një pjesë e mirë e njerëzve jetojnë në pallate, që kanë nevojë për mirëmbajtje, është e nevojshme që të kemi rregulla të reja dhe ndarje të qartë të roleve që ka bashkia, banorët, kryesia, administratori i objektit. Së pari, bashkitë do të kenë një libër të bashkëpronësisë, si një regjistër me të dhënat si është ndërtuar objekti, ka ashensor, ka asamble, ka depo uji. Një seri të dhënash për çdo objekt”, deklaroi ai.
Mazniku shpjegoi se ligji detyron çdo pronë që ka më shumë se 4 apo 5 njësi bashkëpronësie të ketë një administrator të regjistruar pranë njësive respektive.