Balla vizitë në Toskanë: Ismajli, ambasadori më i mirë i Shqipërisë
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka takuar sot në Toskanë futbollistin Ardian Ismajli
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka takuar sot në Toskanë futbollistin Ardian Ismajli, pak minuta përpara takimit me bashkatdhetarët shqiptarë në “Palazzo Dei Congressi” në këtë qytet të Italisë.
“Ndalesa e parë në Toskanë nuk mund të ishte përveçse me djalin më të mirë të Podujevës dhe të Kosovës. Sigurisht, është një krenari e madhe për ne që ia kemi besuar mbrojtjen një kosovari, siç e kanë zakon kosovarët, “nuk lenë gjë me kalu”.
Pak më vonë do të jemi në takim me shumë vëllezër e motra shqiptarë, por e vërteta është që Ismajli po shkëlqen në Seria A si qendërmbrojtësi më i mirë dhe tani ka hyrë në syrin dhe në vëzhgimin e klubeve më të mëdha të Italisë. Ti je një nga ambasadorët më të mirë të Shqipërisë që na bën krenarë”, tha Balla.
Deputeti socialist dhe futbollisti Ismajli shkëmbyen edhe batutat e rastit për ndeshjet e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit 2026. “Fillojmë në 21 mars me Anglinë, merakun e kemi me 7 qershor e me radhë”, tha Balla.
Burimi ATSH