Tinka Kurti dhe Edmond Topi nderohen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Coliseum”
Çmimi “Regjia më e mirë”, iu akordua Edmond Topit, për filmin “Yjet e së ardhmes”, ndërsa çmimi “Aktorja më e mirë protagoniste” shkoi për Tinka Kurtin.
Kineastët shqiptarë janë vlerësuar maksimalisht në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Coliseum”. Ky festival është një ngjarje e rëndësishme kinematografike, me fokus kryesor produksionet e pavarura, edicioni i katërt i të cilit u zhvillua në Romë.
Çmimi “Regjia më e mirë”, iu akordua Edmond Topit, për filmin “Yjet e së ardhmes”, ndërsa çmimi “Aktorja më e mirë protagoniste” shkoi për Tinka Kurtin.
Juria profesionale, e kryesuar nga producenti Roberto Bessi dhe votat e 7000 shikuesve, prej të cilëve 1500 të huaj dhe 5500 italianë, vlerësuan kontributet filmike nga 81 vende të botës, e seleksionuan “Yjet e së ardhmes” në pesë finalistët e seksionit të filmit të huaj me metrazh të gjatë. Në këtë seksion ishin dhe prodhime nga Venezuela, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Bullgaria.
Çmimin e ikonës së kinematografisë tonë, Tinka Kurtit, e tërhoqi kineastja Mirela Oktrova, e cila u shpreh tejet e emocionuar dhe e nderuar për dy rastësi të bukura.
“Ndihem shumë e nderuar që jam unë sot këtu, për të marrë këtë çmim në emrin e Tinkës, çka lidhet me dy rastësi të bukura: E para, sepse Tinka e ka nisur karrierën e saj nën regjinë e babait tim. E dyta, sepse Tinka sapo ka festuar 92-vjetorin e lindjes, dhe ky çmim është një dhuratë e bukur për të”, u shpreh Oktrova.
Burimi ATSH