Shqipëria e Kosova marrëveshje për ekipe të përbashkëta hetimore të prokurorëve
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka pritur sot në takim pune një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga kreu i kësaj prokurorie, Altin Dumani.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka pritur sot në takim pune një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga kreu i kësaj prokurorie, Altin Dumani.
Gjatë këtij takimi dy kryeprokurorët diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet.
Po ashtu, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.
“Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve”, thuhet në njofitm.
Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kanë vlerësuar të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë.