Alda Bardhyli: Letërsia shqipe, pjesë e letërsisë së madhe botërore!

Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL): Letërsia shqptare e përkthyer në mbi 40 gjuhë


Bisedoi: Diellza Gradanica

Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), thotë se, letërsia shqipe është pjesë e letërsisë së madhe botërore që pas viteve 70-të dhe se ajo është e përkthyer, në mbi 40 gjuhë.

Sipas studiueses së mirënjohur e letërsisë, njëherësh edhe publiciste me kontribut të spikatur, Qendra e librit ka mbështetur librin, leximin, dialogun, përkthimin, botuesit dhe deri diku edhe libraritë, duke i bërë këta të fundit pjesëtarë në diskutim.

***

– Si e shihni pritjen aktuale globale të letërsisë shqiptare? Cilat cilësi unike mendoni se rezonojnë me lexuesit ndërkombëtarë?

Letërsia shqipe është pjesë e letërsisë së madhe botërore që pas viteve 70-të, kur veprat e para të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare u botuan fillimisht në gjuhën frënge për të vijuar më pas në më shumë se 40 gjuhë kur këto vepra janë botuar sot. Në këtë kontekst letërsia shqipe shihet në një hapësirë më të gjërë gjykimi dhe reflektimi, për vetë komunikimin e gjerë që ajo ka në arenën ndërkombëtare. Veçoritë e kësaj letërsie duket se pasqyrojnë dhe historinë e vetë Shqipërisë së shekullit të fundit, duke reflektuar një vetëdije të madhe të ndërgjegjes sonë kombëtare, identitetit tonë kulturor europian, por dhe tiparet e vetë gjuhës shqipe, krejtësisht unike në mënyrën e saj për tu zgjeruar në tema dhe histori, përtej saj. Fryma e një tradite të hershme të kësaj gjuhe dhe letërsisë, një strukturë gati magjike letrare por dhe tema që kanë në fokus përpjekjen e njeriut për t’ia dalë sistemit, duke e parë sistemin në një kontekst më të gjërë, e bëjnë këtë letërsi globale për vetë temat që mbart.

– Cila ka qenë përvoja juaj në arritjen e dukshmërisë ndërkombëtare? A mund të ndani ndonjë sukses të veçantë?

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka në fokus të punës së saj njohjen dhe prezantimin e letërsisë dhe librit shqip në arenën ndërkombëtare. Përgjatë punës sonë ne kemi mbështetur botimin në gjuhë dhe kultura të tjera më shumë se 20 vepra të kësaj letërsie në gjuhë të tjera. Programi i përkthimit të librit shqip në gjuhë të tjera është pjesë e filozofisë sonë për të përçuar pikërisht vlerat tona kulturore në kultura të tjera, duke besuar se vetëm përmes kulturës mund të komunikojmë dhe arrijmë më shpejt progresin. Ky program është kthyer tashmë në një traditë përmes së cilës ne i japim mundësi të gjithë përkthyesve të gjuhës shqipe, të botojnë punimet e tyre. Nga ana tjetër këto vite është rritur dukshëm dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në evente të ndryshme të librit ndërkombëtar përmes QKLL, si Panairi i librit në Torino, ku Shqipëria ishte e ftuar nderi, për herë të parë në historinë e këtij panairi të rëndësishëm të librit botëror. Rritja e pjesëmarrjes në aktivitetet e Panairit të Librit në Leipzig të Gjermanisë, ku Shqipëria u bë pjesë e diskutimeve globale të letërsisë, Panairin i Frankfurtit, festivale të ndryshme letrare ku autorët shqiptarë janë të pranishëm, kanë rritur një përfaqësim të librit shqip në këto hapësira.

– Cilat janë disa nga sfidat kryesore me të cilat jeni përballur për të sjellë letërsinë shqiptare përpara një publiku ndërkombëtar?

Sfida kryesore ka qenë çështja e vazhdimësisë normale të letërsisë shqipe. Kushtet historike dhe politike, metoda e realizmit socialist, markimi i shkrimtareve nga biografia dhe nga përmbajtja e librave të tyre përgjatë 50 viteve, e bëjnë një mjedis të vështirë rrjedhshmërinë e vlerave dhe interpretimin e tyre jashtë klisheve të fitores të pas luftës. Narrativa historike dhe ideologjike që shoqëroi këtë proces, bashkë me të dhe çensura, la një fragmentim gati të pariparueshëm, nëse flasim për një panoramim të plotë. Këtë tablo po përpiqen të mbushin shkrimtarë, historianë, kritikë e përkthyes, por nuk është e lehtë. Qendra e librit ka mbështetur librin, leximin, dialogun, përkthimin, botuesit dhe deri diku edhe libraritë, duke i bërë këta të fundit pjesëtarë në diskutim. Por ne jemi të ndërgjegjshëm që për të lidhur në mënyrë të plotë letërsinë shqipe, duhen koncepte të moderuara historike, sociale dhe letrare dhe pse jo dhe politike. Ajo që është e dukshme mbetet dera e hapur dhe vullneti i mirë i qendrës së librit për tu përfshirë e ndihmuar në mënyrë të asnjëanshme që këto vlera të letërsisë të vijnë te lexuesi. Puna jonë është një pjesë e punës së gjerë që po bëjnë botuesit dhe intelektualët e pavarur.

– Çfarë roli mendoni se mund të luajnë platformat dixhitale ose rrjetet sociale për të rritur dukshmërinë e autorëve shqiptarë ndërkombëtarisht?

Platforma digjitale mund të luajë një rol të shkëlqyer për të sensibilizuar autorë, krijime dhe mendime. Për të bashkuar perceptime, përjetime, informacione dhe ekspertizë në një seri zinxhir ku njëherësh me rritjen kulturore të plotësohet dhe informacioni mbi tekstet e mëparshme, pasi ato bashkëkohorët sigurisht promovohen nga autorë, botues apo kritikë që kujdesen. E kemi në plan të ndërtojmë brenda 2025 platformën e plotë të botimit të librave që mbështesim, temat e diskutimit, thirrjet e vitit dhe zëra të tjerë.

– Mendoni se ka mjaft mbështetje institucionale për të promovuar letërsinë shqiptare jashtë vendit? Sa e rëndësishme është roli i festivaleve letrare ndërkombëtare, çmimeve apo granteve në promovimin e letërsisë shqiptare?

Moderimi i formave të prezantimit ka ndryshuar dhe organizimin. Artistët në rend kombëtar dhe ndërkombëtar lidhen në qarqe të vogla ose të mëdha, krijojnë, shkëmbejnë, performojnë për publikun. Forma të alternuara të mbështetjes me ente që nuk varen direkt nga shteti, por janë ballkanike ose europiane, po e decentralizojnë artin dhe po i japin atij mundësinë që të demokratizohet, në atë mënyrë që artistët e vërtetë të krijojnë botën dhe të mos jenë të projektuar prej saj.

Çfarë ndryshimesh mendoni se nevojiten brenda skenës letrare shqiptare për të promovuar një dukshmëri më të madhe ndërkombëtare?

Së pari mendoj se vetë artistet dhe kritika duhet të evidentojë vlerë. Së dyti vetë artistët duhet të gjejnë mekanizmat mbështetës, siç e shpjegova pak më lart përsa i përket autorëve të penguar nga regjimi, të çensuruar apo dënuar, ne po përpiqemi pak nga pak të transferojmë vlerat e tyre në gjuhë të tjera. Por edhe nëse e bëjmë, ekspertizë më e mirë kërkohet për të shpjeguar kushtet e lindjes së veprës së tyre, natyra ndryshe e shkrimit të tyre si dhe qëllimi.

– Ky është një moment që ndihet në të gjitha fushat e ndërgjegjes shoqërore, por që duket qartë kur është fjala te libri dhe letërsia. A ka diçka tjetër që mendoni se është e rëndësishme të përmendni?

E rëndësishme është të përmendet se një bashkësi shkrimtarësh dhe krijuesish e ka për detyrë jo vetëm të krijojë por të bëjë diçka dhe për sivëllezërit apo etërit e artit letrar që politika ideologjike i margjinoi. Vetëm në vazhdimësi merr kuptim një fizionomi letrare dhe diferenca që ajo sjell. Qendra e Librit do të mbështesë me dashamirësi këtë përpjekje si dhe e ka mbështetur sa herë është dhënë rasti apo kërk uar ndihmë.

Lexo më shumë nga

Saro pret ambasadorin e Egjiptit, mundësi për investime në sektorët strategjikë

Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro priti sot në një takim me ambasadorin e Egjiptit…

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Saro pret ambasadorin e Egjiptit, mundësi për investime në sektorët strategjikë

Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro priti sot në një takim me ambasadorin e Egjiptit…